Ditën e sotme Gjykata e Apelit në Tiranë ka njoftuar se me datë 3 nëntor 2022, ora 10:30, do të gjykohet çështja me kërkues Partia Demokratike e Shqipërisë, lidhur me ankimin e saj ndaj vendimit datë 18.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë.
Bëhet fjalë për çeshtjen e shumë përfolur të legjitimitetit të drejtimit të Partisë Demokatike të Shqipërisë. në mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar pas dorëheqjes nga ky post të Lulzim Bashës.
Trupi gjykues që e shqyrton çeshtjen përbëhet nga gjyqtarët: Irida Kacerja (relatore), Genti Shala dhe Emona Muçi. Po kush janë tre gjyqtarët që kanë në dorë fatin e PD- së por edhe të opozitës, pasi vendimi që do të marrë Gjykata e Apelit do të jetë i formës së prerë.
Lajmi i mirë është se të tre gjyqtarët e kanë kaluar vetingun. E para e ka kaluar Emona Muçi, në vitin 2019, atë kohë kryetare dhe gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Ajo është kontrolluar vetëm në nivelin e parë të vettingut, në KPK, me vendimin nr. 85, datë 13.12.2018. Komisioneri Publik nuk e ka ankimuar në KPA këtë vendim, i cili mori formën e prerë me datë 05.02.2019.
Më pas, në KPK ka kaluar Irida Kacerja, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka marrë vlerësim pozitiv me vendimin nr. 355, datë 16.3.2021. Edhe në këtë rast, Komsioneri Publik nuk ka ankimuar në KPA vendimin, i cili mori formën e prerë me datë 06.5.2021.
Në sitën e vetingut, i fundit ka kaluar gjyqtari Genti Shala. Ai ka kaluar me sukses në nivelin e parë, KPK, me vendimin nr. 286, datë 04.08.2020, i cili u ankimua nga Komisioneri Publik. Në vijim, KPA ka hapur dhe ka mbyllur një hetim, duke dalë në fund me një vendim për rikonfirmimin në detyrë të gjyqtarit Genti Shala.
Pavarësisht eksperiencës në sistemin gjyqësor që mund të ketë secili nga këta gjyqtarë, vështirë të kenë dhonë ndonjë vendim më të rëndësishëm se ky që do të nisin të shqyrtojnë me 3 nëntor. Në lojë nuk është vetëm fati i PD- së por edhe i opozitls shqiptare, me gjasë edhe i zgjedhjeve vendore të vitit që vjen. Si rrjedhojë, me vendimin e tyre, pasojat do të shtrihen deri në zgjedhjet politike të vitit 2025. /ShkodraWeb/