Ditën e Hënë, me dt 10 Tetor po u kremtoka 50-vjetori i krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhe paska me pasë do fanfara shtetërore… Këtyre të fundit desha t’u drejtohem: MËSONI ME NUMËRU NË MËNYRË DEMOKRATIKE! MËSONI ME MËSU HISTORINË E SHQIPËRISË!
Me 10 tetor 1972 u ngrit Akademia e Shkencave e Shqipërise së Re (E Reja e marrë peng nga Diktatura e Enver Hoxhës). Kjo datë, që në vakt do përkujtuar me 1 minutë heshtje e jo me fanfara, shënon rënien e shkencës nën qyrkun e tmerrshëm të ideologjisë, ku gjithçka ishte me urdhër ideologjik nga lart. NJË MINUTË HESHTJE DO MBAJTUR TË HËNËN! E NËSE KANË ME BUÇIT FANFARA KREMTI, ATËHERE KOHA E KEQE I KA ENDE FANTAZMAT E PASHUARA!
Mësoni me e njohtë e me e dashtë këtë vend.
AKADEMIA BASHKIMI, e themeluar për vullnet të Abatit të Mirditës, Prend Doçit, i cili i la në dispozicion banesën e vet në Shkodër, është E PARA AKADEMI E DIJES SHQIPTARE, e cila pasi mblodhi mendjet më të dlira e vullnetet më të mira, i dha këtij vendi Alfabetin, Shkollat, Pavaresinë, Normalen e Elbasanit me mësuesit e shqipes për Kosovë e ngado ku qe gjuha shqipe, i dha Komisinë Letrare dhe gjuhën e shtetit.
AKADEMIA BASHKIMI, e cila pati në krah mendje si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Faik Konica, e poashtu pati përkrah më të madhen mbështetje perëndimore ushtruar përmes Austrisë, AKADEMIA BASHKIMI pra bashkoi çka kjo “E REJA” përçau e vijon të përçajë, sipas një modeli keqan sovjet.
Ta konsiderosh zanafillën e Akademizmit Shqiptar me dt 10 tetor 1972 është njelloj si ta konsiderosh zanafillën e Parlamentarizmit Shqiptar në vitin 1946.
Për fat të mirë kjo datë e fundit u korrigjua edhe me kontributin e të majtës, dhe legjislaturat tani numerohen në menyrë demokratike.
E vetmja datë e pakorrigjuar ka mbetur 10 Tetor 1972. Kremtimet për të vijojnë me na kujtu se Shqipëria nuk është çliru ende nga Fantazmat e Kohës së Keqe.
Ky çlirim meriton të gjitha përpjekjet tona dhe ka me i pasë të blatuara të gjitha! Ka me qenë një luftë e bukur çlirimtare, si çdo luftë për demokraci dhe për shkencë! /Nga Ledi SHMAKU SHKRELI, publikuar në Facebook/