Autori i ngjarjes së rëndë në Klos këtë të mërkurë dyshohet se është Fiqiri Mjeshtri, ndërsa viktima është identifikuar Kenado Shira, raporton News24.
Autori i dyshuar është shpallur në kërkim nga policia e Klosit. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë një i mitur dhe u plagosën dy persona. Mes të plagosurve rëndë është babai i viktimës.
Paraprakisht mësohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të vjetër që kanë pasur dy fise, konkretisht fisi Mjeshtri dhe fisi Shira. Sherri mes tyre ka degraduar këtë të mërkurë, në mes të rrugës, në qendër të Klosit, ku jashtë një lokali ka kërcitur arma e zjarrit.
Bëhet me dije se ka humbur jetën në spital Ilir, babai i Kenado Shira, 17-vjeçari që mbeti i vdekur në vend pas të shtëna nga autorët e dyshuar Fiqiri, Besnik dhe Fatmir Mjeshtri ndërsa mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Ndërkohë, vetëvritet njëri nga autorët e dyshuar të krimit të dyfishtë Ilir dhe Kenado Shira janë babë e bir që mbetën të vrarë sot në Klos. Behet fjale per Fiqiri Mjeshtri.
NJOFTIMI I POLICISË
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.