Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim në Bashkinë e Vau Dejësit. Ai është pritur dhe shoqëruar nga deputeti Zef Hila, i cili prej disa javësh, është rreshtuar vendosmërisht në krah të Berishës.
Fillimisht, ai preferoi të mos pozicionohej haptas në përballjen Berisha- Basha apo Alibeaj, por tashmë ai shfaqet në të gjitha takimet e organizuara nga PD- ja e Berisha, nga mbledhjet e deputetëve deri tek takimet e tjera.
Edhe në takimin në Vau dejës, Hila ishte në krah të Berishës dhe ka marrë fjalën menjëherë pas kryedemokratit. Hila ka folur për problematikat e zonës së Vau Dejësit dhe përpjekjet e tij për zgjidhjen e problematikave të banorëve.
Po ashtu, ai ka folur edhe për ndryshimet e mëdha që PD bëri në Bushat e Vau Dejës gjatë qeverisjes qendrore nga ana e saj. Hila ka përmendur punë e veprime konkrete, teksa ka përcjellë edhe një mesazh shumë të rëndësishëm.
Ai ka siguruar Berishën se në Vau dejës jo vetëm PD është e bashkuar, por edhe si opozitë ajo është e bashkuar. Zef Hila ka që në vitin 1992 që ka qenë kryetar komune, fillimisht në Barbullush, më pas në Bushat dhe në 2015- ën kryetar i Bashkisë Vau Dejës.
Si pjesë e PD- së, në zgjedhjet e 30 qershor 2019 ai nuk hyri në zgjedhje, duke lënë bashkinë në drejtimin e Mark Babanit të PS- së. Me 25 prill 2021, ai u zgjodh deputet i PD- së.
Duhet theksuar se Zef Hila gëzon reputacion e mbështetje të gjërë në Vau Dejës. Këtë e ka treguar me garat për qeverisjen vendore, të fituara të gjitha, edhe përballë kundështarëve aspak të lehtë.
Nuk do të ishte aspak çudi që ai, në zgjedhjet e vitit që vjen, të futet sërish në garë për bashkinë Vau Dejës. Do të ishte një rival i fortë për çdo kandidat, ndërsa kohët e fundit PD në qendër dhe në bazë është duke sulmuar rregullisht Mark Babanin dhe zyrtarë të tjerë. /ShkodraWeb/