Klubet e mëdha europiane do të fitojnë miliona nga FIFA për lojtarët që do të dërgojnë në Botërorin e Katarit muajin e ardhshëm. Ato do të përfitojnë 10 mijë dollarë amerikanë për çdo ditë që futbollistët e tyre do të qëndrojnë në Katar. Mançester Siti, Reali i Madridit, Totenhemi dhe Barcelona ishin mes përfituesve më të mëdha në Botërorin e 4 viteve më parë në Rusi, kur FIFA akordoi 209 milionë dollarë për Programin e Përfitimeve të Klubeve.
Sa më shumë lojtarë një klub të ketë në Kupën e Botës dhe sa më larg që ata të shkojnë në turne, më shumë para do të përfitojnë nga kjo skemë. FIFA ka rritur shpërblimin nga 8.530 dollarë që ishte në “Rusi 2018” në 10 mijë në “Katar 2022”. Kjo do të thotë se klubet e Premier Ligës, si Çelsi, që ka 20 lojtarë të cilët mund të grumbullohen nga kombëtaret në Botëror, pritet të përfitojë më shumë nga ky program.
Mançester Siti, që përfitoi mbi 5 milionë dollarë në Botërorin e fundit, mund të dërgojë në Katar 17 futbollistë. Mançester Junajtid mund të ketë 18, Totenhemi 17 dhe Arsenali 14 lojtarë të përzgjedhur. Reali i Madridit dhe Barcelona, të cilat kishin respektivisht 15 dhe 14 lojtarë në “Rusi 2018”, pritet të përfitojnë një pjesë të madhe të të ardhurave nga Programi i Përfitimeve të Klubeve. Pasi përfundon turneu, fondet e FIFA-s derdhen fillimisht në federatat kombëtare të futbollit dhe prej andej u shpërndahen klubeve.
Në vitin 2018, FIFA pagoi klubet për 736 lojtarë (24.500 ditë), duke përfshirë edhe dy javët e grumbullimit me kombëtaret përpara nisjes së turneut. Programi i Përfitimeve të Klubeve u aplikua për herë të parë në Botërorin e 2010-ës në Afrikën e Jugut. Por nga totali i 40 milionë dollarëve që ishte buxheti në atë turne, shifra u rrit në 70 milionë dollarë në “Brazil 2014” dhe gati u trefishua në “Rusi 2018” (209 milionë).