Në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së bëri thirrje për ta shënuar këtë ditë si një mënyrë për të promovuar një kulturë globale të ndërgjegjësimit ndaj rrezikut dhe reduktimit të katastrofave, kurse në vitin 2009, datën 13 Tetor, e vendosi si “Dita Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Rreziqeve nga Katastrofat.”
Shqipëria kërcënohet nga rreziqe të ndryshme natyrore, duke përfshirë, ndër të tjera, përmbytjet, thatësirat, reshjet e dendura të shiut dhe borës, stuhitë e erës, valët e të nxehtit, rrëshqitjet e tokës, ortekët dhe zjarret në pyje.
Përmbytjet dhe ngjarjet ekstreme, të tilla si thatësirat ekstreme e rrëshqitjet e tokës, janë një kërcënim i madh për vendin tonë.
Thelbi dhe objektivi në raport me rreziqet natyrore, është qëndrimi i njeriut ndaj natyrës dhe anasjelltas, nga njëri vend në tjetrin dhe kjo lidhet me një sërë faktorësh, por mbi të gjithë faktorët spikat aftësia, dituria dhe përgjegjshmëria për të ndërtuar një sistem efikas ku ndërveprojnë ngushtësisht vrojtimi, studimi, parashikimi, parandalimi, zbutja e efekteve dhe përballimi i goditjeve që natyra jep herë pas here dhe stinë pas stine.
Projektet e terrenit duhet të ndërtohen me njerëz që e jetojnë dhe e kanë dijen për territorin, dhe jo vetëm projekte në letër që përsërisin veten, pa ndërhyrje konkrete në terren.
Vlerësimi dhe menaxhimi i mirë i territorit inkurajon ndërveprimin ekonomik dhe formaton në mënyrë të ndërsjellë strukturën e tregjeve. Territori është më tepër se sa një linjë në hartë, është një karakteristikë thelbësore e jetës së përditshme politike dhe sociale.
Nuk ka mbetur asnjë pjesë e territorit të vendit, pa u prekur nga këto përmbytje vitet e fundit, të shoqëruara me shumë dukuri të tjera gjeomorfologjike, hidrologjike e humane zinxhir.
Përmbytjet kanë shkaktuar e do të shkaktojnë dëme shumë të mëdha ekonomike për njerëzit e prekur nga ato dhe do të shtojnë varfërinë e këtyre banorëve. Mjafton të shohim ciklin e përsëritjes së tyre vetëm në 10 vitet e fundit në zonën e NënShkodrës dhe rrethinat e Shkodrës.
Po ashtu veprimtaria e fuqishme erozive anësore, pra në brigje, nga ujërat e përrenjve dhe lumenjve, gjë që ka çuar në erozionin e sipërfaqeve të tëra tokash bujqësore, si në zonën e Bërdicës së sipërme, Vukatanës, Ganjollës.
Erozioni i shtuar anësor i përrenjve dhe lumenjve është bërë rrezik i madh dhe i vazhdueshëm i ujërave të rrëmbyeshëm në Shqipëri, sidomos në rast plotash.
Erozioni detar paraqet situatë emergjente në brigjet shqiptare, duke kërcënuar qindra kilometra katrorë tokë, por dhe zhdukje të plazheve. Ndaj, marrja e masave të menjëhershme është domosdoshmëri për të ndalur këtë “sëmundje”.
Të dhënat e studimeve të ndërmarra nga specialistët, tregojnë se ky fenomen është i pranishëm në bregdetin shqiptar.
Ndër zonat me erozion më kritik, është zona në krah të majtë të grykëderdhjes së Bunës, pjesa e Velipojës deri në Vilun.
Me intensitet paraqitet erozioni në pjesën jugore të plazhit të Shëngjinit deri në Tale, në gjatësi prej 9.3 km.
Gjatë dy dekadave të fundit, dukuria e zjarreve në pyje është rritur në numër dhe gjithashtu në madhësinë e zonave të prekura. Pyjet shqiptare preken nga zjarret veçanërisht në fund të pranverës dhe gjatë verës së nxehtë dhe të thatë.
Shkaqet e këtyre të zjarreve mund të jenë antropogjene (pakujdesitë njerëzore, djegia e kullotave dhe në një masë jo të vogël si rezultat i zjarrvënies) ose natyrore (rrufetë).
Ekosistemet pyjore mbartin vlera ekonomike, mjedisore, rekreative dhe turistike. Këto ekosisteme kërcënohen në mënyrë serioze nga zjarret, të cilat sjellin pasoja të mëdha negative të tilla si: shkretëtirëzimi, erozioni i tokës, humbja e biodiversitetit, humbja e funksioneve biologjike të cilat pasohen me humbje të mëdha social-ekonomike. /Nga Ervis KRYMBI, pedagog i Gjeografisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”/