Partia Socialiste ka intensifikuar aktivitetin e saj në Qarkun e Shkodrës. Elisa Spiropali, koordinatore politike e PS- së për këtë qark, po organizon takime në të gjitha njësitë administrative. Ka nisur me Shkodrën, ka vijuar me Malësinë e Madhe, më pas me Pukën e Fushë- Arrëzin dhe me gjasë do ta mbyllë me Vau Dejësin.
Nga 5 tetori, kur u prezantua zyrtarisht në Shkodër nga sekretari i përgjithshëm i PS- së Damian Gjiknuri, Spiropali ka ardhur disa herë në qarkun e Shkodrës, duke patur parasysh se kanë kaluar vetëm 10 ditë nga marrja zyrtare e detyrës politike. Ajo që konstatohet, është se në të gjitha takimet, përveç zyrtarëve partiakë, në të takime janë së bashku 4 nga 5 kryetarët e bashkive të qarkut, bashki që drejtohen nga socialistët.
Po ashtu, vërehet se në çdo takim, është i pranishëm vetëm një nga 3 deputetët e PS së në qark, Benet Beci. Ish- drejtuesja politike Edona Bilali është shkëputur për arsye të kuptueshme personale por edhe për shkak të emërimit në një qark tjetër si drejtuese politike, ndërsa Paulin Sterkaj tashmë është caktuar nga Rama në një nga zonat e Tiranës. Benet Beci, në qarqe brenda PS- së në Shkodër e Tiranë por edhe në mes aleatësh të mundshëm, shihet si kandidat potencial për Bashkinë e Shkodrës. Aktivizimi politiko- publik i javëve të fundit, e forcon këtë mundësi.
Në fokus të takimeve, janë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit që vjen. Ndërsa Shkodra akoma konsiderohet “mollë e ndalueme” edhe përmes deklaratave të Damian Gjiknurit, angazhimi është maksimal në 4 bashkitë e tjera. Nëse Zef Hila lë mandatin e deputetit për të hyrë në garë, edhe Bashkia e Vau Dejësit, është mjaft e vështirë të mbahet qoftë me Mark Babanin (që përflitet se nuk ka dëshirë të rikandidojë), qoftë edhe me çdo emër tjetër.
Ndërsa Zef Hila tashmë mund të konsiderohet në “fushatë të pashpallur”, në bashkitë e tjera të qarkut nuk duket të ketë lëvizje të dukshme nga ana e Partisë Demokratike. Bashkia e Shkodrës mund të konsiderohet e padiskutueshme për PS- në, të paktën në eksperiencën e 32 viteve të fundit. Ndërkohë, në Malësi të Madhe, situata nuk është aspak pozitive. Akoma nuk është arritur të përfundojë procesi i zgjedhjes së kreut të ri të degës së PD- së, me dy dështime radhazi, ndërsa duket se Anton Kokaj, mbështetës i linjës së Aliabej- Basha, ka pozita të forta.
Për bashkinë e Pukës përfliten mjaft emra kandidatësh për PD- në, ku nuk përjashtohet edhe garimi i Lodovik Hasanaj, pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD- së në 2021- in. Fushë- Arrëzi nuk ka akoma një emër të konsliduar, teska pretendojnë si zakonisht, ata që janë drejtues të strukturave politike demokrate në zonë.
Ndërsa Berisha ka përsëritur se synohet që primaret në PD të përmbyllen brenda muajit tetor, të paktën në bashkitë e mëdha, sytë duket se janë drejtuar nga Gjykata e Tiranës për vendimin e 3 nëntorit, për çeshtjen e legjitimitetit të lidershipit të partisë më të madhe opozitare. Vështirë të ketë një vendim të formës së prerë se kujt i takon emri, vula e selia. Me gjasë do të ketë rikthim për gjykim në themel të çeshtjes, procedurë që zgjat me muaj e ndoshta e lë PD- në në kushtet aktuale edhe për zgjedhjet e 2023- it. Kjo do të sillte nevojën e një vule për regjistrim në zgjedhje, duke pamundësuar edhe përdorimin e emrit e logos PD. Nëse në Shkodër “6 marsi” tregoi se nuk kishte shumë ndikim, në bashkitë e tjera të qarkut, patjetër do të ketë ndikimin e vet negativ për opozitën.
Ndërkohë, drejtuesja politike Spiropali, kërkon të gjallërojë strukturat socialiste, duke folur për socialistët e kahershëm “në atë sallë do doja të shihja edhe shumë aktivistë e drejtues të tjerë që i kam njohur ndër vite, në opozitë e në qeveri”, siç shprehet pas një takimi Shkodër. Po ashtu, në 4 bashkitë që qeveris aktualisht, ka kërkuar angazhim maksimal të zyrtarëve të qeverisjes vendore, ndërsa ka ndezur “dritat e kuqe” edhe për drejtoritë rajonale, të cilat përballë qytetarëve, “duhet të kenë fytyrën e PS- së”.
Spiropali ka një detyrë aspak të lehtë, sidomos për PS- në e Bashkisë Shkodër. Publikisht por edhe në rrethe të ngushta, pakënaqësitë për administrimin e pushtetit nga 2013-a e këtej, janë lehtësisht të identifikueshme. Ka të paktën tre grupime, i Ditmir Bushatit, Ilir Beqajt (jo shumë larg njëri- tjetrit) dhe i Edona Bilalit që janë kristalizuar në PS- në Shkodër. Pa folur për “socialistët e vjetër”, të cilët ndjehen të anashkaluar thuajse totalisht. Unifikimi i këtyre grupimeve, rreth një emri kandidati, duket i vështirë. Sidomos, nëse nuk ndërhyhet me “bisturi” për të lëvizur jo pak individë që nga socialistët identifikohen si të atij apo këtij ish- drejtuesi politik.
Dallohet lehtë se Spiropali ka ardhur si “dorë e fortë” në Shkodër. Jo vetëm si një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, por edhe si një negociatore e mundshme me aleatët e pritshëm, zyrtarë apo jo, institucionalë apo personalë që mund ti afrohen PS- së për zgjedhjet vendore. Nuk duhet harruar se pës shkak të asaj më sipër, çdo premtim i mundshëm i Spiropalit, ka gjasë të jetë më bindës se i çdokujt tjetër që mund të ishte në pozicionin e saj. Aq më tepër, kur ajo nuk ka lidhje apo interesa direkte në qarkun e Shkodrës (punësime, katapultime), me përjashtim të krijimit të lidhjeve të reja politike, shijimit të turizmit të shumëanshëm apo edhe kulinarisë.
Nga 1990- a e këtej, Spiropali mund të konsiderohet si kundërshtari më dinjitoz që mund të ketë patur çdo drejtues politik i PD- së në Qarkun e Shkodrës. Por deri tani, vetëm në rrafshin teorik. “Notën” përfundimtare Spiropali do ta marrë pas zgjedhjeve të 2023- it. A do të arrijë të ruajë tre bashkitë: Malësi e Madhe, Pukë e Fushë- Arrëz! Për Shkodrën e Vau Dejësin, është një sipërmarrje e vështirë, në kufijtë e të pamundurës! /Nga Blerti DELIJA/