Dy pjesët e të njëjtës PD, tashmë kanë nisur të takohen zyrtarisht për të testuar mundësinë e bashkimit. Fillimisht në kuadër të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, si një mundësi për të vijuar me bashkimin e përhershëm nënë një çati politike.
Edi Paloka dhe Gazment Bardhi, u ulën përballë në një kafe pranë parlamentit, duke krijuar idenë e një takimi informal. Të dy janë deputetë të PD- së, të dy përfaqësojnë dy rryma në të njëjtën forcë politike, e cila prej disa kohësh, është në një situatë të çuditshme.
Detaje nga takimi i parë, ka fare pak. Ajo që dihet zyrtarisht dhe konfirmohet nga interlekutorët, është dëshira për t’ u bashkuar. Jo zyrtarisht, nga mbledhja e deputetëve mbështetës të Alibeaj- Bardhi, mësohet se problemi i kësaj pjese mbeten primaret.
Ndërsa Berisha dhe Kryesia e PD- së kanë vendosur 4 dhjetorin si afatin kur do të zhvillohen primaret për përcaktimin e kandidatëve për kryebashkiakë, pala tjetër këmbëngul që ato të mos zhvillohen.
Arsyeja është e thjeshtë. Mund t’ u jepet mundësia të kandidojnë përkrahës të linjës së tyre, por me gjasë asnjëri prej tyre nuk mund të jetë kandidat për kryebashkiak. Arsyeja është e thjeshtë: Për përzgjedhjen e kandidatëve voton antarësia, përfshi edhe simpatizantët që do të përcaktohen nga seksionet e PD- së. Shumica e tyre është përcaktuar qartë në krah të Berishës, “Foltores” e lidershipit të tij në PD.
Me gjasë, kjo është “nyja gordiane” që bisedimet Paloka- Bardhi, nuk do të mund të presin me shpatat e tyre. Grupimi i Alibeajt e ndjen se është në minorancë në antarësinë e PD- së. Megjithatë, ai është i fortë në Kuvend me një grup deputetësh dhe parlamenti e KQZ vazhdojnë të njohin Alibej si kryetar i komanduar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD.
Përtej kësaj, ka një rrugë që bisedimet e pajtimit të mos hidhen “në erë”, duke dëmtuar PD- në, opozitën e vendin, aty ku mund të aludohet se grupimi Alibeaj mund të ketë mbështetje. Meqenëse Statuti i ri i PD- së ka sanksionuar fraksionet, takimet Paloka- Alibeaj mund të dialogojnë pikërisht për këtë temë.
Nuk ka dyshime se shumica dërrmuese e antarësisë demokrate, mbështet Berishën dhe linjën e tij. Megjithatë, në emër të bashkimit, të dy palët mund dhe duhet të lëshojnë nga vetja. Berisha mund t’i japë grupimit Alibeaj një përqindje kandidatësh, nga pjesa që pas bisedimeve me aleatët, do të mbetet PD- së. Kjo përqindje mund të negociohet me palëve dhe mund të jetë 70- 30 në favor të Berishës ose një tjetër. Në këtë pikë, konsensusi nuk është vështirë të pranohet.
Nga ana tjetër, grupimi Alibeaj, nëse futet në këtë negociatë, “de facto” e “de jure” pranon apo duhet të pranojë lidershipin e Berishës në PD. Është një guxim i madh të kalohet kjo “vijë e kuqe” e shpallur nga Basha më herët por edhe Alibeaj e Bardhi më vonë. Megjithëse ky i fundit, pas takimit me Palokën ka deklaruar se nuk mund të lihet peng fati i demokratëve për një person.
Nëse vijohet kjo logjikë, Alibeaj duhet të terheqë të gjitha ankimimet e bëra në gjykata për legjitimetetin e PD- së sepse përndryshe, asnjë nga lëvizjet më sipër, nuk do të kishte kuptim politik. Si fazë e dytë e mundshme, e cila mund të paracaktohet, pas zgjedhjeve vendore të vitit që vjen, mund të kalohet në riformatim të strukturave në qendër dhe në bazë, në emër të legjitimimit të fraksioneve në PD. Alibeaj dhe grupimit të tij, përmes një mekanizmi që mund të diskutohet, në varësi të rezultateve të zgjedhjeve vendore, mund ti lihet një përqindje përfaqësimi në të gjitha nivelet e PD- së.
Deri tani, duket se grupimi Alibeaj, në emër të idesë së bashkimit me shumicën e PD- së, po përgatit një alibi. Nëse nuk arrihet marrëveshje, nëse nuk do të arrihen rezultatet që pretendon PD dhe opozita, grupimi Alibeaj do të ketë ku të “drejtojë gishtin” për të identifikuar fajtorët. Madje, duke “rrahur gjoksin” se ata e hodhën të parët hapin e bashkimit të PD- së. /Nga Blerti DELIJA/