Është “muaji rozë”, tetori kur gratë janë të ftuara për depistimin e kancerit të gjirit. Është një mundësi që strukturat shtetërore e ofrojnë pa pagesë. Aty ku aparaturat ekzistojnë, kryesisht në zona urbane, sherbimi shumë i rëndësishëm ofrohet në qendra shendëtësore.
Aty ku mundësitë me aparatura nuk janë, është vënë në dispozicion një aparaturë mamografie e lëvizshme. Aktualisht, ajo është në zonën e Vau dejësit, afër qendrës shendetësore. Por mesa duket, kjo aparaturë lëvizëse nuk ofron sherbimin në masën që duhet.
Këtë konstatim e ka bërë gazetarja Merisa Gjoni, e cila ka qenë sot në Vau Dejës. Në një shënim me pak rreshta dhe me foto në Facebook, ajo tregon problematikën me të cilën po përballen gratë e vajzat në Vau Dejës.
“Sot isha në Qendrën Shendetësore Vau Dejës me dëshirën e mirë për të inkurajuar jo vetëm gratë por edhe faktin se ka një mamografi levizëse qe u jep mundësi grave përtej “pedonales” në Shkodër! Aspak e lumtun me atë çfarë gjeta aty!
Gra që prisnin prej 3 orësh në radhë e gra të tjera që u kthyen pa u ekzaminuar! E përse? Sepse pajisja sipas specialistes nuk pranon më shumë se 15 depistime për shkak të ngrohjes së tepërt! Përse bëhen këto fushata kur më shumë i acarojnë gratë sesa i inkurajojnë?
Nuk është e lehtë për një grua në moshë, në zona të thella që të marrë mundimin të shkojë për mamografi, rezultati- kthehu në shtëpi sepse nuk ke emrin në listë ose është plotësuar numri!”, shkruan gazetarja Gjoni në Facebook.
Është momenti që autoritetet shendetësore të marrin masa. Ndërsa ndergjegjësimi i grave dhe vajzave është në nivele maksimale, mosfunksionimi i aparaturave nuk duhet të jetë pengesë për depistimin e një sëmundje që çdo vit, kërcënon me mijëra zonja e zonjushe. /ShkodraWeb/