Klevis Gjeluci, i riu shkodran në koma nga 27 shtatori i këtij viti, nis “udhëtimin e shpresës”. Burime pranë familjes të të riut, bëjnë me dije për ShkodraWeb se i riu që aksidentua me mjetin e tij në Shkodër, është nisur drejt Italisë.
Fillimisht u mendua se udhëtimi do të kryhej me avion, ndërsa duke parë gjendjen e Klevisit, mjekët e një spitali privat në Tiranë, bashkë me familjen e 20 vjeçarit, vendosën që udhëtimi të kryhej me një ambulancë speciale të vënë në dispozicion nga spitali.
Ndërkohë, prindërit, nëna dhe babai i Klevis, janë tashmë në Romë ku presin djalin e tyre të mbërrijë në Itali përmes rrugës tokësore. Mësohet se i riu do të shtrohet në spitalin “Gemelli” të Romës, një nga më të mirët jo vetëm në Itali por edhe në Europë e botë.
Përmes rrjeteve sociale, u nis një fushatë për mbledhje fondesh për të mundësuar udhëtimin e kurimin e Klevisit në Itali. Në më pak se një javë, u arrit të mblidhej deri ditën e sotme mbi 300 mijë euro, ndërsa duhet edhe po kaq që Klevisi të rikthehet shëndoshë e mirë mes nesh.
Sot Klevisi nis një udhëtim, ndoshta më të vështirin jetës së tij, të familjes, miqve, shokëve e të njohurve. Por është një udhëtim shprese, i mbështetur jo vetëm nga bujaria e pashoqe e shqiptarëve anëkënd botës por edhe lutjeve pa fund për jetën e këtij të riu.
Mirardhsh shëndosh e mirë në Shkodër e Shqipëri Klevis! Fitoje këtë betejë të vështirë, fitoje për vete, për familjarët por edhe të gjithë ata shqiptarë që vazhdojnë të luten për ty!
Të gjithë ata që kanë mundësi, mund të japin kontributin e tyre duke klikuar në këtë link, duke kontribuar me aq sa kanë mundësi: https://www.gofundme.com/f/donate-to-help-klevis-pay-his-operation /ShkodraWeb/