Vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri u arrestuan nga policia si autorë të dyshuar të vrasjes së 34-vjeçarit në Fushë Krujë, Indrit Ndoj. “BalkanWeb” mëson se vëllezërit para hetuesve kanë shprehur pendim. Ata kanë theksuar se nuk kishin për qëllim të vrisnin 34-vjeçarin, por situata u ka dalë nga duart, pasi sipas tyre Indrit Ndoj i ka sulmuar fizikisht.
Ndërsa kanë treguar se në momentin që janë larguar, Ndoj ka qenë gjallë.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai (Ndoj) ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi.
Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për tu mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterjen femorale) . Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri.
Kujtojmë se familjarët e 34-vjeçarit kanë treguar se kishin komunikuar me Indritin një ditë përpara krimit, por nuk kishin vërejtur asnjë shqetësim tek ai.
Ata thonë se Indriti udhëtonte me biçikletë, por mjeti nuk u gjet pranë trupit të pajete. 34-vjeçari ka qenë i arrestuar në shtator të 2021 për trafik klandestinësh.