Qyteti i Shkodrës por edhe zonat rreth tij, thuajse çdo natë mbulohen nga një re tymi, e cila në disa raste, sjell një kutërbim të rëndë me vete. Kjo vjen nga djegia e mbetjeve të ndryshme në periferitë e qytetit, ndërsa pasojat i vuajnë të gjithë qytetarët.
Mirsad Basha, një aktivist i njohur në mbrojtje të mjedisit, ka evidentuar atë që ka ndodhur natën e kaluar. Madje, ai e ka evidentuar edhe me foto në një publikim në rrjetet sociale, duke kërkuar edhe vemendjen e institucioneve për frenimin e fenomenit.
“Çdo natë në Shkodër vjen një aromë të djegunit, një erë karboni e cila asht kancerogjene dhe tepër e damshme për shendetin tonë. Çdo natë në pjesën e Kuçit afër lumit Kir dhe tek varrezat e dëshmorëve po afër lumit Kir djegen mbeturina dhe goma makinash të cilat krijojne nji re kancerogjene deri në qytetin e Shkodrës (mund të dallohet në foto).
Janë ba me dhjetra e dhjetra lajme nga gazetarët dhe shoqnia civile dhe nuk e kuptoj pse nuk zgjidhet nji herë e mirë ky problem! Institucionet mjedisore, Bashkia, Prefektura dhe Qarku duhet me reagu sa ma parë e jo thjeshtë instervista që nuk janë aspak zgjidhje për këtë problem!
Duhet reagim, monitorime e gjoba për këto persona dhe biznese që janë duke shkaktu çdo ditë e natë këtë katastofë të vertetë mjedisore dhe të dëmshme për shendetin tonë!”, shkruan Mirsad Basha në rrjetet sociale.
Kjo është këmbana e alarmit e radhës që bie për këtë problem. Nëse nuk do të reagohet, pasojat do të ndjehen në jetët e çdo shkodrani që thith këtë ajër, pasoja edhe afatgjata fatkeqësisht për shendetin e të gjithëve. /ShkodraWeb/