Filmi “Sofia” i regjisorit të ri dhe të talentuar Eduart Grishaj, do të nis premierat e tij në Shqipëri në ditët e para të muajit nëntor. Pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare filmi, fitues i disa çmimeve kinematografike, “Sofia” do të ketë premierën e vet edhe në Shkodër.
Kinema “Millennium” do të mirëpresë të dielën e 6 nëntorit, në orën 20.00, premierën e filmit “Sofia” në Shkodër, i cili e merr spunton e tij nga një ngjarje e vertetë, e transformuar në vepër kinematografike nga regjisori Grishaj dhe kasti i aktorëve.
Në Shkodër, filmi do të ngjallë patjetër një interes shumë të madh jo vetëm për shkak të regjisorit Eduart Grishaj që e nisi aventurën e tij në botën e medias, artit dhe kinematografisë pikërisht në këtë qytet.
Pjesë e kastit të aktorëve, janë emra të njohur të skenës dhe ekranit nga Shkodra e Malësia e Madhe, mbi të gjitha me pjesëmarrjen e aktores së jashtëzakonshme shqiptare Tinka Kurti.
“Sofia” do të ketë premierat e tij edhe jashtë vendit. Deri tani, është njoftuar shfaqja e tij në disa shtete si Itali, Greqi dhe SHBA. Madje, biletat e premierave janë shitur tashmë shumë ditë e javë para datave të caktuara për premierat.