Publikohet historia e panjohur, ndodhur në shtatorin e largët të vitit 1963, kur me anë të një varke u arratisën nga liqeni i Shkodrës për në Jugosllavi pesë djem të rinj nga ai qytet, me në krye Selim Kuçin, apo siç njihej ndryshe “Jahuzi”, që konsiderohej si një ndër djemtë më të fuqishëm fizikisht dhe më të pashëm në atë qytet, saqë ishte bërë objekt bisedash i vajzave të reja, që thoshin se i përngjiste një aktori të njohur filmash.
Dëshmia e Tanush Mulletit, një nga njerëzit që e ka njohur nga afër Jahuz Kuçin, pasi ishin fqinj në lagjen “Rus”, me dajën e tij, Zija Mukën, shok dhe mik i ngushtë i Hamza Kuçit (të atit të Selimit) dhe Hamit Gjylbegut, të tre ithtarë të Monarkisë së Zogut, që dëgjonin fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” dhe mbanin njëri tjetrin me gajret, duke thënë se “si zën gjethi (pranvera) i këta hora”, duke nënkuptuar regjimin komunist?!
Si e ndiqnin organet e Sigurimit të Shtetit djaloshin e tmerrshëm shkodran, Jahuz Kuçin, që kërkonin ta arrestonin pasi më parë ai kishte rrahur keq një Punëtor Operativ të lagjes së tij që ia kishte bërë jetën ferr, dhe ngjarja e arratisjes në shtatorin e vitit 1963, kur ai me ndihmën e Bajram Balanit, një prej notarëve më të mirë të ekipit “Vllaznia” dhe “Partizan”-it që punonte me varkat në liqenin e Shkodrës në fshati Zogaj, së bashku me Çesk Janën dhe Hajrulla Zaganjorin e një të afërmin e tij, mundën të dalin në ujërat malazeze në Jugosllavinë e asaj kohe.
“Në atë kohë, para se të arratisej, Jahuzi si duket ishte nën vëzhgimin e rreptë të organeve të Sigurimit të Shtetit, të cilët që pas ngjarjes me Punëtorin Operativ që e rrahu keq, duke i thyer nofullën, mezi prisnin që ta arrestonin.
Ajo gjë, pra, noti që bënin ata nga Shiroka në Livadhe, ku shpesh më kishin marrë dhe mua (ndoshta dhe me qëllim për t’u kamufluar), ishte interpretuar dhe me të drejtë nga Sigurimi i Shtetit, sikur Jahuzi po e bënte si stërvitje dhe si prova se sa larg mund të shkonte me not, që të arratisej më pas. Si duket këto fjalë i kishin rënë në vesh dhe dajës sim, Zija Mukës (kuptohet nga ndonjë dashamirës i familjes sonë), që ma ndaloi të shkoja dhe të lahesha me ta, duke menduar se mos më merrnin dhe mua me vete”.
Tregon 75-vjeçari Tanush Mulleti për herë të parë për Memorie.al, ngjarjen e bujshme të ndodhur në qytetin e Shkodrës në shtatorin e vitit 1963, lidhur me historinë e arratisjes së Selim Kuçit dhe katër shokëve të tij. Kush ishte Selim Kuçi, cila ishte origjina dhe përbërja familjare e tij dhe si njihej ai në qytetin e Shkodrës?
Çfarë lidhje ka Tanush Mulleti me këtë ngjarje dhe si qëndron e vërteta e arratisjes së Selimit dhe katër shokëve të tij në shtatorin e vitit 1963, nga ku më pas ai shkoi në Afrikën e Jugut, në Gardën Mbretërore të Leka Zogut, duke realizuar ëndrrën e tij për të shërbyer Lekës së Parë, si dikur i ati, Hamza Kuçi, ish-major i Monarkisë, Mbretit Zog?
Zoti Mulleti, si e keni njohur Selim Kuçin dhe familjen e tij në qytetin e Shkodrës?
Selimin, apo siç njihej ndryshme në qytetin e Shkodrës me nofkën “Jahuzi”, unë e kam njohur që në fundin e viteve ‘50-të, kur nga qyteti i Kavajës ku ishim të internuar familjarisht, tre muajt e verës shkoja dhe i kaloja te familja e dajës tim, Zija Mukës, që e kishin shtëpinë në lagjen “Rus”, ku jo shumë larg tyre në një rrugicë, e kishte shtëpinë Jahuzi, siç e thërrisnim ne fëmijët e lagjes, por edhe shokët e tij pak më të mëdhenj se ne. Si p.sh., Hysen Koçia, që më pas u bë një nga tenorët më të njohur në Teatrin e Operës dhe Baletit. Ceni ishte “komandant” i fëmijëve të lagjes dhe prej tij unë e kam njohur për herë të parë Jahuzin, pasi ata të dy kishin shumë miqësi me njëri-tjetrin, dhe shpeshherë më merrnin edhe mua me vete, kur shkonin për t’u larë në liqen, në Shirokë.
Jahuzin dhe familjen e tij unë e njoha më mirë pas vitit 1959, kur ne si familje ikëm nga Kavaja dhe u vendosëm në qytetin e Shkodrës dhe unë vazhdoja të rrija gjithë kohën tek shtëpia e dajës tim, Zija Mukës, pasi aty kisha të gjithë shokët e bashkëmoshatarë, me në krye Cen Koçinë, siç thashë, nëna e të cilit, ishte e motra e Ibrahim Tukiçit, këngëtarit të famshëm të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
E kujtoj me nostalgji atë periudhë kohe ku kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime, adoleshencën, por dhe rininë time, në mes familjeve të asaj lagje dhe shokëve pak më të rritur se unë ku shquheshin: Jahuzi, Cen Koçia, Vildan Tufi (trajner i njohur i Atletikës), etj.
Të kthehemi te Jahuzi dhe familja e tij, si e keni njohur ju babanë e tij, Hamzanë?
Siç ju thashë pak më lart, familja e tyre ishin fqinjë me dajën tim, Zija Mukën, që ishte një nga miqtë më të ngushtë të babait të Jahuzit, Hamza Kuçit, një ish-major i Monarkisë së Zogut, që thuhej se kishte qenë besnik dhe me lidhje të afërta miqësore me Mbretin Zog. I diplomuar që në vitet e Luftës së Parë Botërore në Akademinë Ushtarake të Vjenës, Hamz Kuçi kishte shërbyer si ushtarak dhe përkthyes personal i komandantit të Garnizonit Ushtarak turk të Shkodrës, dhe Valiu i qytetit, gjeneral, Hasan Riza Pashës, gjatë gjithë periudhës së rrethimit të Shkodrës nga forcat serbo-malazeze nga fundi i vitit 1912, deri në muajt e parë të fillimit të vitit 1913.
Hamza njihej në të gjithë qytetin e Shkodrës, si një zotni i vërtetë dhe intelektual me prirje perëndimore, zotërues i disa gjuhëve të huaja, i cili pasi kishte vuajtur më shumë se një dekadë në burgun politik të Burrelit, u kthye pranë familjes së tij në Shkodër, ku kishte bashkëshorten dhe dy djemtë, Jahuzin dhe Melekun.
Ndonëse siç thashë që Hamza respektohej në të gjithë qytetin e Shkodrës, ku ai edhe pas burgut dilte krenar si për t’i bërë sfidë atij pushteti komunist, miqtë e tij ishin të paktë dhe ai, përveç Hamit Gjylbegut, një ish-oficeri të njohur të Monarkisë, Hamza shoqërohej dhe kishte mik të ngushtë edhe dajën tim, Zija Mukën, që njihej si ithtar i Mbretit Zog, i cili nuk mori pjesë asnjëherë në votimet që janë mbajtur gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist nga 1945 deri në ‘90-ën.
Ndryshe nga daja im, Zijaj që nuk dilte shumë nga shtëpia, por rrinte i vetëm në dhomën e tij, duke dëgjuar radion, te “Zëri i Amerikës” (pa ekzagjerim, ka pasur nja shtatë a tetë radio në dhomën e tij), Hamza Kuçi dilte nga shtëpia në xhiron që bëhej asokohe në qytetin e Shkodrës dhe me Hamit Gjylbegun, (antikomunist, i kishte vdekur i biri, Virtuti në Kampin e Kënetës së Maliqit si i burgosur politik), shkonin te një miku i ngushtë i tyre, Fadil Hoxha, ku dëgjonin radion “Zëri i Amerikës” dhe kur takoheshin me dajën, Zijanë, mbanin njëri-tjetrin me gajret (siç thonë shkodranët), duke thënë: “S’i zen gjethi (pranvera i këta hora”, duke e pasur fjalën për regjimin komunist në fuqi.
Po Fadili, ishte i persekutuar si Hamzai dhe Hamiti?
Jo vetëm që nuk ishte i persekutuar, por ai i kishte fëmijët në punë të mira me pozitë. (Por kjo ka qenë Shkodra që s’ka dasht me dit shumë për punët e politikës, edhe pse me bindje dhe prejardhje të ndryshme politike e familjare, kanë pas shoqëri dhe miqësi të ngushtë me njëri tjetrin). Fadili kishte qenë arsimtar dhe njërin djalë (Ismeti), që e kishte shef arsimi në Komitet Ekzekutiv, ia bënë problem në një mbledhje, duke thënë se: “Dy reaksionarët, Hamit Gjylbegu dhe Hamz Kuçi, shkonin te shtëpia e të atit të tij, Fadilit, dhe dëgjonin radion ‘Zëri i Amerikës’”.
A pati probleme nga kjo gjë?
Jo, nuk pati, pasi atë gjë ia mbylli Bilal Parruca, që ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, ai njihej si liberal që përkrahte edhe familjet e persekutuara, i cili e thirri Ismetin dhe i tha që: ta shikonte pak atë punë se i ati kishte rënë në sy dhe njerëzit po flisnin shumë. Ismeti jo vetëm që nuk e mohoi atë, pra që te shtëpia e tij shkonin Hamit Gjylbegu me Riza Kuçin dhe dëgjonin radion te “Zëri i Amerikës”, por i tha Bilalit se: Nuk mund t’i nxirrte jashtë nga shtëpia shokët e babës?!
Të kthehemi tek i biri i Hamza Kuçit, Selimi, apo Jahuzi siç është njohur ai në qytetin e Shkodrës, si e kujtoni?
Selim Kuçi apo “Jahuzi” ka qenë një nga personazhet më të njohur në fillimin e viteve ‘60-të në të gjithë qytetin e Shkodrës, pasi ai ishte një nga djemtë më të pashëm dhe më të fuqishëm fizikisht që kishte Shkodra e asaj kohe, saqë para tij edhe djemtë më trima dhe të “çartun” të atij qyteti, “rrinin sus” dhe nuk ia bënte kush fjalën dysh! Ai s’i binte kujt në qafë dhe gjithashtu ishte një djalë i mençur që kishte trashëguar gjenin e familjes, por rrethanat familjare biografike, e kishin detyruar që të punonte si buldozerist në një SMT (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve), diku në rrethina të Shkodrës. Jahuzi kishte një trup të drejtë dhe shtatlartë, me flokë të zeza kaçurrela, e shumë i pashëm, saqë ishte objekt bisedash i vajzave të reja të asaj kohe.
Për çfarë binte në sy tjetër Jahuzi në qytetin e Shkodrës?
Jahuzi binte në sy për gjithçka dhe siç thashë ka qenë një nga personazhet më të njohur të Shkodrës së atyre viteve, i cili nuk linte film pa parë. Jahuzi ishte një nga ata që mbante radhë dhe merrte shumë bileta (për ata që i binin në qafë), pasi falë fizikut të tij, futej disa herë dhe nuk dilte kurrë nga sporteli pa marrë bileta. Më kujtohet kur Jahuzi kishte rrahur keq një oficer të Sigurimit, që mbulonte si Punëtor Operativ i Sigurimit lagjen e tij, duke ia thyer nofullën e poshtme vetëm me një grusht. Jahuzi në përgjithësi ishte i qetë dhe nuk i binte njeriu kot në qafë, por as nuk duronte njeri ta cenonte, dhe siç duket, ai i Sigurimit, duke iu sjellë rrotull e kishte mërzitur aq shumë, saqë Jahuzi i ra me grusht, gjë e cila e detyroi atë të merrte vendimin për t’u arratisur më pas. Ndryshe nga Jahuzi, ishte i vëllai i tij, Meleku, një djalë shumë i urtë i dhëne pas studimeve dhe gjuhëve huaja.
Nuk u arrestua dhe nuk u bë problem nga ai veprim..!?
Nuk u arrestua, pasi ai oficeri i Sigurimit nuk bëri padi jo vetëm se i vinte turp, por edhe nga frika se Jahuzi e kishte kërcënuar se: po ta bënte atë gjë, do t’ia gjente anën dhe ta zhduke fizikisht nga faqja e dheut, kurdo që të dilte nga burgu. Por thuhej se u mbajt e fshehtë dhe nuk u bë publike edhe nga vetë Dega e Punëve të Brendshme, për të mos ulur figurën e oficerit të Sigurimit të Shtetit.
Si e kujtoni ju arratisjen e Jahuzit?
Arratisja e Jahuzit në atë kohë bëri bujë të madhe, jo vetëm për faktin se ai u arratis edhe me katër shokë të tjerë, duke ikur me varkë në mes të liqenit, por më shumë se ai ishte një nga personazhet më të njohur të qytetit. Jahuzi kishte kohë që kishte menduar arratisjen dhe nisur nga kjo, ai nuk kishte krijuar familje. Por ajo më kryesorja që unë them dhe është fakt se Jahuzi ka dashur të arratisej, është dhe fakti se shumë kohë më përpara, ai bënte stërvitje dhe prova se sa larg mund të shkonte me not. Fillimisht shkonte me not deri në mes të liqenit, ku thuhej se dukej Kalaja e Rozafës me sy. Ndërsa më pas, duke prerë liqenin në mes, nga Zogaj ose Shiroka dhe duke dalë në lagjen Livadhe, që është një distancë jo pak e largët.
Me kë e bënte Jahuzi atë distancë me not, vetëm?
Edhe vetëm e bënte, por më shumë me Hysen Koçinë (këngëtarin e mëvonshëm të Teatrit të Operës dhe Baletit) dhe shpesh herë më merrnin dhe mua me vete. Ceni në atë kohë (pra, fundi i viteve ‘50-të dhe fillimi i viteve ‘60-të), punonte si ndihmës marangoz dhe sa linte punën në drekë, merrte një biçikletë me qira, më merrte mua para dhe kur shkonim në Shirokë, më thoshte që ta kthehesha shpejt e ta çoja biçikletën te vendi ku e kishte marrë me qira dhe vetë shkonte në breg të liqenit ku e priste Jahuzi. Një ditë ata më thanë se do më merrnin dhe mua që ta bëja me not atë distancë, por unë edhe pse kisha frikë (në atë kohë isha 14-15 vjeç), nuk mund t’u thosha jo.
Dhe shkuat me ta për ta bërë atë distancë me not…?!
Shkova disa herë, kur lodhesha më mbanin ata, por kjo gjë nuk zgjati shumë, pasi një ditë më thirri daja, Zija Muka, dhe më tha se ‘në mënyrë kategorike nuk duhet të shkosh më me u la në liqen’, por po të doja, mund të shkoja vetëm në lumin Drin ose në Buna.
Juve as ju kishte shkuar ndërmend ajo gjë, pra, të arratiseshit?
Jo vetëm atëherë që nuk më kishte shkuar ndërmend, pasi isha 14-15 vjeç, por as më vonë, pasi unë isha djalë i vetëm dhe me katër motra, e as e kisha menduar kurrë me u arratis nga Shqipëria.
Si e kujtoni arratisjen e Jahuzit?
Jahuzi u arratis nga liqeni i Shkodrës më 23 shtator të vitit 1963 dhe ndryshe sa pritej që ai të ikte me not, ai iku me një varkë të vogël që e kishte Bajram Balani nga Zogaj, që punonte me atë varkë me brigadën e peshkimit, por me që ai ishte dhe notar i talentuar, ajo varke përdorej edhe nga pika kufitare e Zogajt kur ata kishin ndonjë nevojë. Nisur nga kjo gjë, Bajram Balani konsiderohej si njeri i besuar i regjimit dhe askujt nuk ja merrte mëndja se ai, do ishte “kompromentuar” nga Jahuzi dhe shokët e tij, si: Çesk Jana, Hajrulla Zaganjori dhe një kushëriri i tij që s’ja kujtoj dot emrin. Unë i kam njohur dhe ata Zaganjorët, pasi vëllanë e Hajrullait, Shyqëriun, e kam pasur shok dhe kemi kryer ushtrinë bashkë dhe të gjithë ashtu si Jahuzi dhe Bajrami, ishin djem trima dhe notarë që s’i gjeje kund më të fortë.
Në atë kohë pas asaj ngjarje, nën zë shkodranët vlersonin dhe lavdëronin jo vetëm Jahuzin që dihej se ishte trim dhe s’i bënte syrri tërr, por edhe Bajram Balanin, që ishte treguar burrë dhe i besës me atë veprim, pasi shumë të tjerë që kishin bërë plane më parë apo më pas, ishin diktuar nga Sigurimi i Shtetit.
Kjo ka qenë ndër të paktat ngjarje, që Sigurimi nuk penetroi dot, edhe pse ata ishin pesë veta. Arratisja e tyre bëri bujë të madhe në atë kohë, pasi jo vetëm pse ishin pesë vetë, por sepse ishte një ngjarje e rëndë për regjimin komunist që trumbetonte me të madhe se; kufijtë ishin të paprekshëm dhe aty s’kalonte dot as miza.
Si u komentua apo u përfol ajo ngjarje?
U arrit deri aty sa thuhej se aq djem trima ishin ata të pestë, saqë rojet e kufirit edhe mund t’i kenë pare, por nuk dhanë alarmin, pasi do viheshin në ndjekje të tyre dhe do rrezikonin kokën, pasi ata nuk binin kurrë të gjallë në duart e rojeve tona të kufirit. Po kështu thuhej se ata do ta kenë pasur varkën me motor, pasi ishte e pamundur që të iknin aq shpejt në ujërat malazeze, duke u dhënë lopatave, por e vërteta doli se ata kishin ikur vetëm me lopata, njësoj sikur varka të kishte qenë me motor.
Pas ikjes së tyre, fjalë të ndryshme qarkullonin, jo ka shku këtu, jo ka shkua atje, jo ka shku te Leka Zogu në Afrikë të Jugut, jo në Suedi ku është zënë dhe ju ka prish koncertin Ansamblit të Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria, etj. etj. Por asgjë e saktë nuk dihej dhe as kurrkush nuk mund të thoshte ndonjë gjë konkrete, pasi ato ishin muhabete me zarar, ndoshta familjarët e tyre mund të kenë pasur ndonjë informacion.
Po kur u kthye Jahuzi pas viteve ‘90-të, a u takuat me të?
Kur erdhi Jahuzi në Shqipëri herën e parë aty nga viti 1992, nuk u takuam dot, pasi unë kisha ardhur me shtëpi në Tiranë dhe nuk dija gjë. Kur ka ardhur herën e dytë aty nga viti 1995, kishte kërkuar vetë të më takonte. Kështu, një ditë, më bie dera e shtëpisë dhe kur dal shoh Pjerin Dedën, mik i imi nga Shkodra, që në atë kohë punonte në Ministrinë e Jashtme në Tiranë si drejtor i Drejtorisë së Diasporës.
Siç e kishte zakon Pjerini, apo Axha siç e thërrisnin të gjithë, më tha: “Kam nji njeri aty në makinë, as e njoh fare, por thotë dua me taku Tanush Mulletin se e kam shok. Hajde takoje dhe ma hiq qafe, se jam për rrugë për në Shkodër. Unë e mora me të vërtetë atë gjë dhe kur shkoj te makina, ç’të shikoja, Jahuz Kuçi?!
Mezi e njoha, pasi gjithë ai djalë që kishte qenë si div, tashmë po dridhej nga një parkinson i rëndë dhe kishte përfunduar në një gjendje fizike me t’u dhimbs prej një sëmundje tjetër të pashërueshme, që dhe i morri jetën vetëm pas pak kohësh. Ajo ka qenë dhe hera e fundit që jemi parë me të. Më ka mbetur merak që në vitin 2012-të, kur iu dha titulli “Qytetar Nderi” babës së tij, Hamza Kuçit, nga ana e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, unë nuk pata mundësi të shkoja.