“Për mua Shkodra është më pak e bukur pa Domen”. Kjo shprehje e aktorit Arben Spahia në lamtumirën e aktorit Enver Hyseni apo në daljen e tij të fundit nga teatri “Migjeni”, më solli disa kujtime që me kalimin e viteve, largimin e personazheve të tyre, bëhen më të vlerta.
Televizioni “Shkodra TV1”, që në themelimin e tij në pranverën e 1997- ës, ishte kthyer në epiqendër të bashkëpunimit me artistët. Në të gjitha hapësirat e mundshme, veçanërisht në emisionin e papërsëritshëm “Trokitje në mesnatë” fundjavave, ishin skena e një bashkëpunimi të papërsëritshëm të një medias lokale me artistët e të gjitha zhanreve.
Nga orët e para të darkës, deri në ato të mëngjesit, jo vetëm studiot por të gjitha mjediset e Shkodra TV1, mbusheshin me artistë. Natyrisht, teatri “Migjeni” dhe aktorët e artistët e tij, ishin gjithmonë “violina e parë”. Aty filloi njohja, shoqëria e më pas miqësia me të gjithë aktorët e punonjësit e këtij tempulli të artit, me plot kuptimin e fjalës. Aty ishin edhe kontaktet e para me Enver Hysenin, të cilën që nga ajo kohë, duke bërë shaka me kohën e komunizmit dhe diktatorin, nisa të thërras “shkoku Enver”. Ai qeshte gjithmonë, bënte shaka dhe kur harroja ta thërrisja, me humor ma kujtonte.
Me komunitetin e aktorëve e artistëve, afrimi ishte i natyrshëm. Veçanërisht kur në Shkodra TV1 erdhi si drejtor Bardh Smaja. Një grup fantastik, i hareshëm, ku unë, duke shpresuar se nuk u mbetet hatri miqve të tjerë të teatrit, do të veçoja Ismet Drishtin, Arben Spahinë, Merita Smajën, Agron Dizdarin dhe sigurisht Enver Hysenin. “Fushë Arrëzi” na mblidhte shpesh dhe bisedat kërcenin nga artin, televizioni, sporti dhe humor pa fund.
Me kalimin e viteve, miqësia me aktorët e punonjësit e teatrit “Migjeni” veçse u shtua, u forcua dhe jam krenar që sot, thuajse të gjithë, i kam konsideruar e i konsideroj më shumë se të njohur, më shumë se shokë, miq!
Ka një kod, të cilin edhe unë e respektoj. Për ata që largohen nga kjo jetë, thuhen vetëm fjalë të mira. Por në fakt, për Enver Hysenin, nuk mund të kesh veçse fjalë të mira dhe vlerësime maksimale. Jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër, por edhe ata që e shijuan përmes ekranit, e kanë konstatuar besoj lehtësisht se Enver Hyseni ishte aktori që personifikonte qytetarinë në art. Për vlerat artistike, për përkushtimin në çdo rol të madh apo të vogël, ka folur dhe ka kush të flasë. Personalisht, do ta mbaj mend gjithmonë të qeshur, optimist, me batuta e shaka, duke mposhtur të paktën në dukje, të gjitha hallet e problemet që aktorët, mbase më shumë se të tjetër, i ndjejnë i perjetojnë.
Para rreth dy javëve, në një bisedë me miken time Rita Gjeka, teksa po flisnim për gjendjen shendetësore të një aktori tjetër pas interesimit tim, më tha “Kam hallin e Enver Hysenit, nuk është mirë…”. Ndërsa tani, Enveri ka marrë rrugën drejt një jete tjetër, ku ashtu siç i shkruante në një publikim mikja ime Merita Smaja, ka shokë boll.
Kjo botë e artit, po varfërohet përditë. Ndërsa atje lart në qiell, po krijohet një ansambël ëngjejsh artistë, me shpresën që të gjithë ne, herët aëpo vonë, do ti shijojmë edhe me interpretimin hyjnor. Sigurisht, që e kam një peng. Një peng jo të vogël, në formën e një pyetjeje retorike: A e meritonte Enver Hyseni të shpallej “Mjeshtër i madh”?! Ndërsa po kërkoja në Google me shpresë që të isha i gabuar në perceptimin tim, presidenti që e ktheu në “Mjeshtër i vogël”, ishte kujtuar që këtë titull t’ ia jepte edhe një restoranti mishi. Por sigurisht, një medalje llamarine, nuk besoj se do t’ ia shtonte vlerat Enver Hysenit! Sot në largimin e tij, ai është më i madh se shumica e atyre që krekosen me atë copë teneqe në gjoks apo si foto në Facebook! /Nga Blerti DELIJA/