Është një lajm i keq! Mungesa e një bashkëpunimi në zgjedhjet vendore të 14 majit në mes “dy” PD- ve, është lajm i keq edhe për vendin. Pavrësisht se personalisht, e kam konsideruar thuajse të pamundur bashkëpunim/ bashkimin brenda PD- së, është lajm i keq. Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca e tij, fuqizohet edhe më shumë pas këtij “lajmi”, duke e bërë gati- gati të garantuar që sot fitoren e zgjedhjeve të radhës përballë PD- PL dhe asaj që sot konsiderohet opozita shqiptare.
Një kryeministër dhe një mazhorancë kaq e fuqishme, gjen reflektime vetëm tek Turqia e Erdogan apo dhe Hungaria e Orban. Të dy këto vende europiane, nuk janë shembulli më i mirë si duhet të zhvillohet e rritet demokracia në një vend që nuk ka më shumë se 30 vite që ka nisur udhëtimin e vështirë drejt demokracisë. Këto dy shtete, edhe Shqipëria, janë të personifikuara nga liderët që i udhëheqin duke patur justifikim votën që i japin qytetarët. Kanë monopolizuar gjithçka dhe nëse ky ka qenë qëllimi i Edi Ramës, sot mund të thuhet se ia ka arritur.
Në fakt, terrenin për të arritur në këtë ditë, ia ka përgatitur vetë opozita. Në pushtet e solli LSI- ja, pasi mbajti katër vite me po kaq mandate “të arta” PD- në dhe Berishën. Në 2017- ën, sërish në pushtet e mbajti LSI- ja, e cila për të rritur peshën e vet elektorale me numër deputetësh, gërreu më shumë djathtas se majtas vota. Dorëzimi i mandateve të deputetëve në bllok dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore 2019- ë, i vunë vulën çimentimit të Ramës në pushtet, ndërsa fitorja e zgjedhjeve të 2021- it ishte në linjën e logjike të politikës.
Sot, Edi Rama është më i fuqishëm se sa ka qenë ndonjëherë. Ka çdo gjë në dorë, të dukshme dhe të padukshme. Praktikisht, i mbetet të thërrasë në Asamble Kushtetuese, të ndryshojë formën e regjimit. Nuk është çudi, të fitojë edhe nëse shpall referendum popullor për ta kthyer vendin në monarki. Aq më shumë, kur aludohet se “nxitjen e parë” e ka, pasi në dejet e tij, mund të ketë gjak mbretëror. të paktën nga familja mbretërore traditëshkurtër shqiptare.
Për tu shkaktuar “dëm” Edi Ramës në 14 maj 2023 me synimin për ta dobësuar në zgjedhjet politike të 2025- ës, duhet shumë më shumë se një aleancë PD- PL apo Berisha- Meta. Përtej fasadës së optimizmit publik pas marrëveshjes Meta- Berisha, gjakftohtët e kuptojnë se as me numra e as me frymë, Rama nuk rrëzohet lehtë. Provat e forcës që ka dhënë nga 2013- a, me mbështetjen publike apo nën rrogoz të ndërkombëtarëve, janë të mjaftueshme për ta provuar. Nga ana tjetër, asnjë marrëveshje e LSI- së apo PL- së qoftë majtas, qoftë djathtas, nuk ka rezultuar vertetë strategjike apo afat gjatë. Nëse bie, post- Rama do të sjellë edhe ndryshimin e pozicionimit të PL- së dhe Metës. Është pothuajse ngjarje e sigurtë!
Çdo votë është e vlefshme në zgjedhjet e 14 majit dhe dyfish në zgjedhjet politike të 2025- ës. Sepse mazhoranca e Rama e kanë tashmë të konsoliduar trupën e tyre zgjedhore, me gjasë, në shtim me kalimin e viteve në pushtet dhe hemoragjinë e ikjeve të përditshme jashtë vendit. Nga ana tjetër, thellimi i varfërisë edhe për shkak të krizës globale, shton shanset e blerjes së votave. Natyrisht jo publike dhe jo me dorën e Ramës. Kjo shumicë ka dhënë prova të mjaftueshme që problemi më i vogël është leku, euro, dollari, paraja në përgjithësi.
Llogaria e vetme logjike e opozitës, është lundrimi i pakënaqësisë popullore për situatën e ekonomike, rritjen e çmimeve, thellimin e varfërisë, shpopullimin e vendit… Po a mjaftojnë vetëm këto, po të doni duke shtuar edhe mungesën e rendit e qetësisë publike? Gjykoj se jo, për arsyet që citova më sipër por edhe për shkak të mentalitetit të ngulitur thellë në ADN- në tonë. Përmbysja e rregullit të pashkruar “8 vite ne, 8 vite ata në pushtet”, ka krijuar padyshim një ngërç edhe psikologjik, gati në kufijtë e pathyeshmërisë së Edi Ramës në zgjedhje.
Çfarë mbetet? Opozita shqiptare duhet të përqendrohet tek shtresa gri, të pavendosurit apo ata që akoma nuk kanë vendosur nëse do të votojnë apo jo me 14 maj 2022. Po cila është rruga? Vështirë që ta gjejë apo përpunojë publikisht. Zhvillimet e orëve të fundit të përçarjes zyrtare në PD, tregojnë se opozita nuk arrin të bind/ bashkojë të vetët. Imagjinoni shtresën gri që është e ftohtë politikisht dhe pret “leverdinë” e vet që të pozicionohet përkohësisht politikisht. /Nga Blerti DELIJA/