Ka rënë apo nuk ka rënë shteti në Shqipëri? Nuk është më “pyetje 1 milion dollarëshe”, sidomos pas publikimit të të dhënave për punonjësit e SHISH- it nga hakerat iranianë. “Shteti digjital” që ne trumbetuam me të madhe të paktën 10 vitet e fundit, është shkërmoqur nën sulmet kibernetike nga jashtë dhe pa më të voglin dyshim, me bashkëpunëtorë brenda sistemit të vend.
Janë miliona euro që shpenzohen çdo vit, pa dhimbje nga qeveritarët tanë për të garantuar sigurinë e sistemeve online qeveritare. Shpenzohen pa dhimbje, sepse janë paratë tona, të shqiptarëve, që merren përmes taksave, tarifave, pagesave të gjithfarëllojshme, të hapura e të fshehta. Askush nuk na pyet nëse duam ti harxhojmë ato para, por të gjitha vendimet merren “në emër të popullit” dikur e sot “në emër të Republikës”.
Janë para të çuara dëm! Nuk është e vështirë të kuptohet. Mirëpo këto para, gjenerojnë miliona pasi materialet shtetërore shqiptare dalin në treg. Një mik po më tregonte para disa ditëve se “tregtia e listave online”, është kthyer në bisnes. Një nga kolegët tanë gazetarë bleu për 300 euro një listë nga grupi i hakerave iranianë në Telegram. Brenda 30 minutave, e shpërndau mbi 10 herë tek ata që e kërkonin. Imagjinoni fitimin e nxjerrë dhe nuk është ky dëmi më i madh.
Ka disa struktura, të cilat edhe pse janë shtetërore, nuk është mirë të identifikohen me të dhëna sensitive si fotoja, numrat e celularit, adresat e mail- it, targat e makinave etj. Për shembull, punonjësit e SHISH dhe të Policisë së Shtetit. Tashmë, ata janë target i grupeve kriminale, janë të identifikueshëm dhe të kërcënueshëm si kurrë më parë. Pa folur për pjesën e shantazhimit.
Këto rreshta, thjeshtë evidentojnë, rreken të japin një opinion të thjeshtë mbi atë që ka ndodhur në këtë vend muajt e fundit, nga publikimi i listapagesave të rrogave deri tek lista e punonjësve të SHISH- it. Konkluzioni është i thjeshtë: Shteti ka rënë, të paktën pjesë a e tij digjitale apo online. Natyrisht ka përgjegjës, edhe pse organet e specializuara ia këpusin gjumit. Po cilat organe të specializuara? SHISH?! Ai është vetë lakuriq në mes mexhlisit.
Por shembja e gjithë kësaj godine digjitale, nuk mund të bëhej vetëm nga jashtë, nga “armiku i jashtëm”. Sigurisht, ka ndikim edhe “armiku i brëndshëm”. A ju kujtohen “patronazhistët”, ata që na dinin shumicës prej nesh jo vetëm prirjen se ku do ta hedhim votën, por edhe lugë e pirunjë nëpër sirtaret e kuzhinave tona. Askush nuk u shqetësua as atëherë, madje kryeministri krenohej me punën e tyre dhe me gjasë, sistemi i patronazhistëve është gurë- themeli i fitores së dytë e të tretë të PS- së në zgjedhjet politike.
Nuk është ngjarje e pamundur që ndonjë nga “patronazhistët” të ketë patur në zotërim ndonjë “çelës” të ndonjë deriçke të vogël të sistemit online. Në këmbim të ndonjë “dore të majme” parash, lehtësisht mund t’ ia ketë dorëzuar ndokujt pranë hakerave iranianë. Vazhdimi, është ngjarje e re… /Nga Blerti DELIJA/