Kjo ndodhi që do t’ju tregoj, më ngjalli emocione të veçanta këtë paradite nëntori në Rrëshen. Ndërsa po gjerbnim kafen e mëngjesit bashkë me disa miq duke biseduar për “meshën e parë” të dom Simon Jubanit, dikush në tavolinë tregoi këtë histori. Unë po e rrëfej pa i ndryshuar asgjë, ashtu siç na u tregua.
Ngjarja kishte ndodhur 32 vite më parë në këto ditë nëntori. Zëri se dom Simon Jubani kishte shkuar në varret e Rrmajt dhe kishte “çue meshë” kishte filluar të përhapej në ajër si një parfum i fortë, i cili mbërrinte edhe në hundët e bllokuara prej kundërmimit të një regjimi të kalbëzuar. Po ashtu, fjala tjetër, që kishte pasuar të parën, kishte qenë ajo se ai do ta kremtonte përsëri meshën me datë 11 nëntor.
Doda kishte ditë që po mendohej të shkonte në Lëkundë të Kurbneshit, pasi kishte dëgjuar se një farë Llesh Mark Përkeqi donte të shiste një dhi me dy keca. Është lehtësisht e kuptueshme se sa e vështirë dhe e mundimshme ishte rruga për të shkuar atje, pasi ajo nuk ka ndryshuar shumë, vazhdon të jetë një rrugë e keqe, por në atë kohë edhe mjetet e udhëtimit ishin të rralla. Mbajmë parasysh se jemi në vitin 1990.
Takimi me Lleshin, një burrë i vetmuar që jetonte pa askënd, kishte qenë befasues për Dodën. Ai kishte vetëm atë dhi me dy keca e asgjë tjetër. E pse vallë donte ta shiste?
-Kur shkum – tregon Doda, – na priti, na ftoi mrena e na poqi kafe. Qeshë me nanën teme. Pashë rreth e rrokull dhomës, po prapë nuk po e kuptosha pse donte me e shitë dhinë e tij të vetme. Ai si duket e kuptoi hutimin tem dhe filloi me folë:
– Kam marrë vesh se nji meshtar ka me çu meshë n’Shkodër me datë 11 nantor. Kam 23 vjet pa pá meshë të çueme nga nji prift. Ktu në katund m’thonë t’gjithë “prifti”, sepse kam shku gjithkund ku kam mujtë me thanë uratë e me pagzu ndonji fmi në kët kohë t’qoftlargjut. Po tash kam me pa meshë përnjimend. Nuk kisha lekë me shku deri n’Shkodër, pranaj m’u desht me e shitë kët dhi me dy kecat”.
Kjo ndodhi më kujtoi vejushën që hodhi gjithçka kishte në arkën e tempullit. Ndoshta kjo histori do të kishte mbetur e groposur, po të mos e kujtonim edhe sot si çdo vit, aktin burrnor e shpirtëror të dom Simon Jubanit, në kafen e këtij mëngjesi nëntori në Rrëshen. /Nga Dom Gjergj META, publikuar në Facebook/