Së pari nuk rri dot pa thënë se më vjen një i papërmbajtur gaz nga përmbytja që i bën Facebookut Akademizma. Çdo lajm që ka të bëjë me Shkencën në botën reale, rend ta tellallosë Shkencizma në dynjanë e vet virtuale. Kaq manjakisht e bën, saqë dynjaja e vet virtuale – alias muri i Facebookut – duket fiks si ai muri i Shfaqjeve të Estradës së Tiranës në kohë të Enverit ku vareshin afishet e çdo shfaqjeje, edhe të estradave të rretheve, e rrinin aty derisa komikëve iu leskroheshin tiparet e ngjanin si hija e Bankos.
Nuk u vë faj në fakt për këtë afshin pa karar të Facebookut. E kanë marrë si stil nga politika dhe s’ka si të jetë ndryshe duke pasë parasysh natyrën mirëfilli partitiste të Shefit, sjellja e të cilit në këtë rast më kujton batutën e Bamkë Qylollarit që, mu te dera, e hodhi vetë dashin mbi supe, “që ta shihte Saliu”. Gabim e ka, se kush do duhet ta shohë, nuk quhet ashtu dhe as nuk e ka fare atë lloj syu.
Por nejse. Le të vijmë te kjo foto që kam sjellë këtu më poshtë.
Këto janë librat e një të vetëquajturi albanolog, etimolog, -log, dhe këto libra SOT SHITEN NË SHITOREN E AKADEMIZMËS! Po po, autori që mëton se Shqipja është gjuhë kozmike, se greqishtja qenka bijë e shqipes, se të gjitha gjuhët orientale duhet të njohin Shqipen për zot e shkop, se çdo rrokje “embrionale” e shqipes shpjegon çdo fjalë të çdo gjuhe tjetër, kjo ANTIALBANOLOGJI PRA e kjo JO-SHKENCË SHITET ZYRTARISHT NË SHITOREN E AKADEMIZMËS. Dhe deri këtu është punë e keqe e Shkencizmës, por ende jo e pështirë.
E pështira vjen tani: Dua t’ju ndërmend lexuesve se ky autor i radhitur kësisoj mes dijetarëve që ia blatuan jetën Gjuhës dhe Kulturës sonë, ka fyer e fyen publikisht me reagime nga më të dënueshmet figurat kryesore të Albanologjisë. Kësisoj, Çabejn e ka quajtur “djall i gjuhës shqipe”, Kolec Topallin e ka fyer si “njeri prej kauçuku, pa dinjitet njerëzor e shkencor”, kolegë të tjerë të ASA-s që ende vijojnë e derdhin mund, i ka akuzuar si ”tradhëtarë të shitur te serbi e greku”.
Së pari Albanologjia si Dije Humaniste, para se të ketë objekt e metoda, ka më së parit Etikë e Njerëzi, e madje është Dija më fisnike (po këtë virtyt Shkencizma nuk e njeh e as nuk i duhet në hesapet e saj lëtyrë!!!). Dhe KJO ETIKË DUHET QË AKADEMIZMËS T’IA SKUQË SOT NGA ZORI FAQEN E NXIRË NGA TURPI! Dhe jua pata thënë që Çabejn e të tjerë janë thjesht duke i varur në gjoks si medalje krejt të pamerituar. Ja pra, ky etazher librash veç këtë thotë.
KY ETAZHER NË SHITOREN E AKADEMIZMËS TREGON QARTË QASJEN PËRTALLËSE DHE KREJT PA RESPEKT QË KA AJO NDAJ ALBANOLOGJISË.
Mbajeni atë etazher, se ju për dy qindarka fitim ç’nuk bëni, veçse kësisoj duhet ta hiqni bustin e Çabejt nga avllija juaj. Duhet ta hiqni portretin e Topallit nga hauri juaj. Po në daçi, mbajeni kështu! Albanologjia ju njeh mirë. Tersi juaj është se ju nuk e njihni fare Albanologjinë. Apo për ta thënë me një fjalë të Çabejt tonë, Albanologjisë ju nuk ja keni dot KËRÇIKUN. Është shumë shumë po shumë më e madhe se ju! Dhe as nuk tallet me ju! Thjesht ju sheh me keqardhje. /Nga Ledi SHAMKU SHKRELI, publikuar në Facebbok/