Filmi “Sofia” i regjisorit nga Malësia e Madhe Eduart Grishaj mbërriti në kinema Millenium në Shkodër. Një histori e treguar nga Atë Zef Pllumi rrëfen një ngjarje të vitit 1941 se si një grua nga Thethi, Sofi Lekja mbajti në shtëpinë e saj një komandant serb i cili i kishte vrarë djalin gjatë luftës.
Komandanti serb e përcolli këtë histori brezave se si shqiptarët i shpëtuan jetën edhe pse po luftonin kundër njëri-tjetrit. Stërmbesa e tij e cila mori emrin Sofia në nder të gruas shqiptare që i shpëtoi jetën komandantit serb pas 73 vitesh viziton Shqipëri dhe bie në dashuri me një djalë shqiptar. Regjisori Grishaj shprehet se kjo është një histori që tregon për vlerat e veriut të Shqipërisë. Vështirësitë në këto tri vite për realizimin e filmit Sofia kanë qenë të mëdha thotë regjisori Grishaj.
Njëri prej aktorëve që merr pjesë në këtë film, Antonio Kodrinaj thotë se mesazhi i filmit duhet t’i përcillët kryesisht brezit të ri për të ditur historinë e të parëve.
Në filmin “Sofia” marrin pjesë një kast i njohur aktorësh ndërsa ngjarjet zhvillohen mes Serbisë dhe Shqipërisë duke treguar se dashuria triumfon mbi urrejtjen apo ndasitë historike e politike që mund të kenë shtete të ndryshme pavarësisht të shkuarës. Filmi Sofia është vlerësuar me disa çmime të ndryshme ndërsa i ka hapur rrugë regjisorit Grishaj për të tjera filma të ngjashëm.