Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të martën më 15 nëntor vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares së Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata, e cila u largua nga detyra tre vite më parë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për mungesë burimesh në blerjen e një apartamenti dhe një lokali, ku për këtë të fundit u konstatua edhe deklarim i rremë i burimit të krijimit. Muçamata nuk ishte e pranishme gjatë shpalljes së vendimit, por ajo u përfaqësua nga avokatja Irena Reso.
Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, gjyqtarja Ina Rama sqaroi se kalimi për shqyrtim i ankimit të Muçmatës në seancë publike u krye me qëllim korrigjimin e shkeljeve të rënda procedurale të kryera prej Komisionit, që ishin evidentuar gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi.
Rama renditi konkluzionet e Komisionit për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin e përfundua procesi i vetingut për Muçmatën në shkallën e parë, ku u konkludua në përfundim se ajo kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se gjendej në pamundësi totale në vlerën 6.4 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve të investimeve në vite. Po ashtu u konstatua edhe deklarim i rremë për burimin e krijimit të një pasurie.
Gjatë seancës publike më 9 nëntor, Muçmata dhe avokatja e saj kërkuan shpalljen e vendimit të Komisionit si absolutisht të pavlefshëm me pretendimin se arsyetimi nuk ishte kryer nga relatorja e çështjes, ashtu si e ngarkon ligji, ndërsa në rast të rrëzimit të këtij varianti, u kërkua riçelja e hetimit dhe kryerja e analizës financiare bazuar edhe në provat e reja të depozituara prej subjektit së bashku me ankimin dhe me parashtrimet. Kërkesa e parë u rrëzua prej Kolegjit, ndërsa e dyta u pranua dhe Kolegji që pasi çeli hetimin dhe administroi provat e mbylli atë dhe u tërhoq për vendimarrje.
Megjithatë, provat e reja të Muçmatajt nuk e ndryshuan konkluzionin final të Komisionit. Rama tha se edhe nga analiza financiare e kryer në Kolegj, Muçmata ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit, të lokalit dhe të mbulimit të shpenzimeve të tjera prej nga është konstatuar balancë negative në total në vlerën 4 milionë lekë. Sipas Ramës, ky bilanc negativ është konkluduar pasi janë konsideruar një pjesë e pretendimeve të subjektit dhe duke kryer analizën financiare në versionin më garanti të mundshëm.
Në vijim, kryesuesja konstatoi se mbetej e pandryshuar gjetja e Komisionit për deklarim të rremë të burimit të lokalit, pasi një kredi e pretenduar nga subjekti kishte kaluar për llogari të një personi tjetër dhe ishte e provuar se nuk kishte shërbyer për blerjen e kësaj pasurie.
“Pas shqyrtimit të të gjitha shkaqeve, trupi gjykues i Kolegji arriti në përfundimin se konkluzioni i Komisionit se subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë, është i drejtë”, deklaroi Rama dhe njoftoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit pasi ishte arritur në konkluzionin se Muçmata ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.