Janë mbushur 24 orë që është hapur një “çeshtje” në Shkodër, riparimi i Urës së vjetës të Bunës. Ditën e djeshme, bashkia Shkodër, nisi riparimin e saj, pas dëmtimeve të shumta të dërrasave në shtratin e saj, meqenëse kalimi mbi të i këmbësorëve, biçikletave por edhe motorëve të vegjël, përbën rrezik për shendetin. Madje, mund të konsiderohet se ndërhyrja është pak e vonuar në kohë.
Nga ana tjetër, Ura e vjetër e Bunës është monument kulture dhe në inventarin e pasurive kultuore që mbrohen me ligjet e shtetit. Çdo ndërhyrje, e çfarëdo natyre, duhet të marrë miratimin paraprak të Ministrisë së Kulturës e institucioneve të varësisë, pasi të jetë hartuar e miratuar edhe projekti përkatës i ndërhyrjes. Në këtë kuptim, reagimi i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, është i natyrshëm.
Duke e çuditshme por edhe bashkia Shkodër, edhe DRTK Shkodër në këtë rast, kanë të drejtë. Bashkia këron të mos rrezikohet shendeti i kalimtarëve mbi të, DRTK Shkodër kërkon të ndërhyhet sipas ligjit në një monument kulture. Sigurisht, polemikat e 24 orëve të fundit, nuk mund të mos lidhen edhe me fushatën elektorale drejt 14 maj 2023, e cila jo zyrtarisht duket ka nisur.
Bashkia dhe DRTK Shkodër, shumë thjesht mund të ishin ulur të tryezë. Sipas projektit të riparimit, dy institucionet mund të bashkonin forcat, qoftë burimet njerëzore por edhe kostot e mundshme financiare. Në fund, do të përfitonin shkodranët por edhe një monument kulture që na identifikon prej më shumë se një shekulli. Për arsye të kuptueshme, kjo nuk ka ndodhur.
Në këto kushte, çdo palë mbron pozicionin e vet. Shkelja e ligjit përballë minimizimit të rrezikut për shendetin e shkodranëve, nuk mund të vihet në peshore. Aq më shumë në një vend si Shqipëria, aq më tepër për një proces që pak a shumë, përfshin thjesht dhe vetëm heqjen e dërrasave të dëmtuara dhe zëvendësimin me të reja.
Për hir të realitetit, Ura e vjetër e Bunës, është riparuar edhe herë të tjera. Madje, jo vetëm zëvendësim dërrasash e lyerje por deri edhe vendosje e një segmenti të plotë të ri të një ure tip “Beili” shumë vite më parë, kur një betonierë u shemb bashkë me të në ujrat e Bunës. Bashkia apo DRTK Shkodër do të përfundojnë procesin e nisur të riparimit të urës. Ajo që është më e rëndësishme, lidhet me çfarë duhetë bërë që të mos biem në përsëritje në vijimësi.
Ura e vjetër e Bunës, si monument kulture, duhet të trajtohet si i tillë. Kalimi mbi të duhet të kufizohet në maksimum. Përveç këmbësorëve, nuk duhet lejuar të kalojë askush. Madje, as biçikletat, ose të marren “për dore”. Kalimi i mjeteve motorike, motorëve, pavarësisht madhësisë, duhet ndaluar absolutisht, pse jo duke u sanksionuar edhe me gjoba.
Në fund, një sqarim. Dikush që është ekspert, duhet të sqarojë se as dërrasat që mund të jenë ndryshuar me qindra herë, as elementët metalikë që të paktën një segment i plotë është zëvendësuar as 20 vjet më parë, nuk janë momument kulture që duhet konservuar. Asnjëra prej tyre nuk ëhtë konservuar e paprekur prej rreth një shekulli, sa është mosha e urës. Vetëm këmbët e Urës së vjetër të Bunës mund dhe duhet të jenë monument kulture. Edhe pse pa shtratin e dërrasave dhe pa parmakët metalikë, nuk mund të konsiderohet më si urë. /Nga Blerti DELIJA/