Një vit më parë, Shkodra dhe Shqipëria do të merrnin lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të dramaturgut dhe shkrimtarit të përmasave të pakrahasueshme, Fadil Kraja. 365 ditë nga ky largim, Fadil Kraja vijon të kujtohet, është thuajse i përditshëm në tavolinat e atyre që e kanë njohur por edhe në rrjetet sociale. Në një farë mënyre, ai vazhdon të jetojë sepse ka marrë pavdekësinë.
Disa ditë më parë, rastësisht, një nga kanalet e RTSH- së po jepte një nga kryeveprat e Fadil Krajës, për mua, kryevepra! Drama “Gjaku i Arbrit”, ku përveç tekstit të jashtëzakonshëm të Krajës mbushem me krenari për trupën e papërsëritshme të Teatrit “Migjeni” që i jep ekzaktësisht atë çfarë pasuria e rreshtave të dramaturgut, duhet të zbërthehet me aktrim.
E ka thënë edhe më herët, do të mjaftonte vetëm “Gjaku i Arbrit” që Fadil Kraja të ngjitej në majën më të lartë të letërsisë shqiptare. Por nuk duhet harruar, pavarësisht se emri i Fadil Krajës është identifikuar me dramën e prozën shqiptare, ai ka lënë perla edhe në humor. Disa komedi të tij, kanë rezultuar ndër më të suksesshmet e vëna në skenë nga Teatri “Migjeni”. Provuar kjo me numër spektatorësh e numër shfaqjesh.
Për Fadil Krajën mund të shkruhet shumë, me rreshta, kapituj e mbase libra. Jo vetëm për shkrimtarin që njohim përmes rreshtave të tij por fillimisht për njeriun, qytetarin, prindin e gjyshin Fadil Kraja. Edhe sot, pas një viti mungesë, është e vështirë të besohet se nuk është mes nesh. Sa herë kaloj para “Tullave të kuqe”, instiktivisht kthej kokën për ta shquar pertej xhamave.
Po instiktivisht, kthej kokën nga krahu i Radio Shkodrës, thuajse në pritje të një imazhi, të një burri imcak, që me hapa të shpejtë, me cigaren e pandarë në dorë, pret rrugën. Ndoshta edhe jo në vijat e bardha. Ku kishte makinë që nuk stoponte në vend, menjëherë para Profesorit, sepse kështu e kam thirrur gjithmonë unë e shumë të tjerë. /Nga Blerti DELIJA/