Me që kam punue mbi katër dekada në Drejtorinë e Ujrave në Shkodër si topograf, kam përjetuar raste nga më të ndryshmet të përmbytjeve të qytetit, nga lumejt Drini, Buna e Kiri nga përmbytjet e përrenjve Shtodër, Vrakë, Prroi i Thatë etj.
Duke ndjekur situatën e krijuar nga përmbytjet e qytetit verior këto ditë kam dëgjue shumë komente, kam lexue shumë analiza me akuza e kundër akuza, ofendime e fyerje, bile edhe nga politikanë që nuk kanë shkelur asnjeherë në basenet e kaskades së Drinit.
Më tërhoqi vëmendjen një koment që Bordi i Kullimit në Lezhë komandoka nga ana teknike e administrative edhe Shkodrën. Pra lumejtë e përrenjtë që kërcnojnë qytetin verior, nuk qenkan në komandimin e kolaudimin e Shkodrës por të Lezhes.
Është thënë si për humor që në Shkodër ka qenë gjithmonë Drejtoria e Ujrave në sa në Lezhë, Drejtoria e Erës. Kjo ndoshta e ka burimin tek frazeologjija popullore ku thuhet “shkodran të palagun e lezhjan të krehur nuk gjen”.
Kujtoj me respekt grupin inxhiniero- teknik të Drejtorisë së Ujrave në Shkodër me ing. Ali Hoxhën, as.ing. Karlo Kamsin, as.ing. Hamdi Sokolin si dhe grupin e inxhinierëve hidroteknikë si Renzi Gjyrezi, Agron Zeneli, Fiqirete Xhuraj, Bukurije Kraja, MeritaTukaj etj., si dhe grupin e teknikëve e topografëve të cilët u përballën me vështirësitë dhe të papriturat e përmbytjeve duke i gjendur gjithnjë në terren, kryesisht në fushën e Nënshkodrës, Velipojës dhe Ana e Malit.
Për çdo kontaktim me drejtuesit e pushtetit lokal dhe të ruajtjes së rendit, ato flisnin me kompetencë dhe me shifra të sakta mbi prurjet e lumit Drin, shkarkimet e hidirocentralit Vau Dejës.
Truri i orgonizimit dhe drejtimit të shtabit të përmbytjeve ishte i ndjeri as.ing. Karlo Kamsi, i cili me arshiven e tij hidroteknike ballafaqohej me një kulture profesionale, ku inxhinierët më në zë të Ministrisë së Bujqesisë dhe të Instititutit të Hidroteknikës, që nga inxhinieri më me emër në këtë fushë, akademiku Fareudin Hoxha, kur angazhoheshin në të tilla përmbytje takimin e parë e bënin me Karlon.
E para që lajmërohej për shkarkimet e ujrave nëpërmjet punës me kapacitet të plotë të turbinave apo nëpërmjet tunelit të Zadejës, ishte Drejtoria e Ujrave që merrte përsipër drejtimin e shtabit duke i dhënë edhe ekonomive bujqësore orientimin se si do të komandoheshin portat e kolektorëve kryesorë të kullimit.
Dhe duke i orientuar nga arshiva e zyrës teknike dhe falë përvojës të fituar në vite, Karlo Kamsi ishte i sigurtë në se Hidrocentrali i Vau Dejës shkarkonte 3000 m/kub, uji do të dilte tek Harku i Bërdicës dhe Oboti ishte nën pushtetin e ujrave. Nëse kalohej mbi këtë shifër mbytej Nënshkodra deri tek Ura Gjolulit. Dhe kjo ishte e pakontestueshme.
Dhe duke kujtuar me respekt kontributin e as.ing. Karlo Kamsit i cili ka hedhur bazat e një pune shkencore në fushen hidroteknike, një fushe aq shqetësuese për Shkodrën, them me bindje sot i mungojnë specilistë të tillë, të aftë për të orientuar komunat e popullatën, para se të përballen me fatkeqësitë natyrore ku dihet, se pas zjarrit, është uji ai që merr edhe jetë njerëzish, sic ndodhi në Bogë. /Nga Namik MEHMETI, Firence/