Një sasi e madhe kokaine e cila kishte mbërritur nga vendet e Amerikës Latine, e kapur në Portin e Tivarit në Malin e Zi, ka zbuluar një laborator kokaine në fshatin Frakull i Madh të Fierit. Bëhet me dije se banesa ku është zbuluar laboratori i kokainës, është në pronësi të ish- kryetarit të komunës së Frakullit, Viktor Çervanakut. Mësohet se për kokainën që përpunohej në banesën e Çervanakut kujdesej një tjetër person, pasi vetë Viktor Çervenakut, jetonte në Tiranë.
Kokaina, e cila ishte e fshehur në 400 kg thasë me pleh kimik, e kapur në muajin korrik të këtij viti, është mbajtur nën vëzhgim, për të zbuluar edhe destinacionin se ku do të shkonte.
Operacioni i cili është zhvilluar nga DEA amerikane, në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze, është mbajtur i fshehur, dhe janë vëzhguar thasët me pleh kimik ku ishte e fshehur edhe kokaina, të cilat janë marrë nga Porti i Tivarit dhe janë dërguar në fshatin Frakull i Madh në Fier. Deri tani janë arrestuar 15 persona. Policia lokale është shmangur për shkak të dyshimeve për dekonspirim.
Ndërkohë, kryeplaku i fshatit Frakull i Madh në Fier tha se në banesën e ish-kryetarit të komunës së Viktor Çervenakut, ku u zbulua laboratori i drogës, u gjetën 200 thasë me pleh kimik, ku dyshohet se ishte fshehur kokaina.
“Thasët kanë pleh kimik. Mund të jenë nja 200 thasë dhe ishin përjashta. Kishte vetëm fishekë. Banesa është e Viktor Cervenakut. Mund të ishin nja 50 polic. Nuk e di nga kishin ardhur thasët. Por është drejtor tani në bashkinë e Tiranës.”, u shpreh ai.