Autoritetet greke kanë rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës, i njohur si “i tmerrshmi” i Beratit. Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala.
Po kush eshte Lulzim Caka
Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, i akuzuar për disa vrasje dhe i dënuar me 25-vite burg i është drejtuar për “prishje të vendimeve” Gjykatës Kushtetuese në dt. 19.12.2012,Gjykatës së Apelit në Vlorë në dt.28.04.2015 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në vitin 2017.
Ai ishte dënuar në dhjetor të vitit 2012, kur Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Fierit. Ngjarja për të cilën u dënua, ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, kur Caka u ka bërë rezistencë forcave të Policisë.
Në atë kohë, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e Policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të vrarë në një atentat më vonë, rrethuan Lul Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij.
Motivi për vrasjen e fundit, për të cilën u akuzua Lul Caka, është supozuar hakmarrja, e cila, sipas Policisë, ka nisur qëkur një vëlla i tij mbeti i vrarë nga rivalët e vëllezërve Caka, të identifikuar si fisi i çamëve të Fierit.
Më pas, vdes dhe i ati i tyre, shkak për vdekjen e së cilit u bë hidhërimi nga humbja e të birit. Ngjarja më e dhimbshme ndodh më 1 korrik të vitit 1999, kur e ëma e Lul Cakës, Xhevria, vritet në mënyrë tragjike. Fill pasi e kishte takuar Lulin në burgun e Fierit, ajo rrëmbehet nga disa persona, të cilët kaluan rrëmbimthi me makinë. Më pas ajo gjendet e masakruar në periferi të qytetit.
Për Policinë këto ngjarje e kanë bërë më të egër Lulzim Cakën, por nuk kanë qenë këto që e kanë bërë të tmerrshëm. Emri i tij mësohet se është regjistruar në dosjet e Policisë që prej vitit 1995, kur në Sematicë ai qëllon mbi disa policë, të cilët kishin rrethuar banesën e tij. Aksioni përfundon pa realizuar kapjen e Cakës, me të cilin bashkohet edhe një pjesë e bashkëfshatarëve të tij. Më tej, në shkurt të vitit 1999, ai që sot mban vulën “i tmerrshmi” përballet me Edmond Kosenin, shefin e atëhershëm të Policisë së Lushnjës. Banda e Karbunarës, në të cilën bënte pjesë edhe Caka, hap zjarr mbi Policinë, duke lënë të plagosur njërin nga policët. Forcat e shumta nga radhët e bluve arrijnë të shoqërojnë në Polici një numër të madh personash, ndërsa Lul Caka shpëton. Rasti i fundit, ku Caka tregon forcën e tij me Policinë, ka qenë 25 marsi i vitit 1998.