Teksa Policia e Shtetit i tha “jo” protestës së thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha në datën 6 dhjetor, me arsyetimin se cënon sigurinë kombëtare, duket se Bashkimi Europian nuk është në një “vijë”.
BE e konsideron protestën se të drejtë të ligjshme të qytetarëve, pavarësisht se në të njëjtën datë zhvillohet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku pritet të marrin pjesë të gjithë kryeministrat e unionit.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë tha për A2 CNN se autoritetet shqiptare duhet të garantojnë sigurinë e samitit, por sipas tyre në të njëjtën kohë duhet respektuar edhe ushtrimi i ligjshëm i lirive të qytetarëve.
“Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për unionin. Ne kemi besim se, si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët”, u shprehën nga delegacioni.
Kujtojmë se protesta e 6 dhjetorit e ka futur politikën shqiptare në debate të forta, pasi maxhoranca pretendon se kjo protestë është e organizuar nga mbështetës së presidentit rus Vladimir Putin në Shqipëri dhe nga ana tjetër opozita e sheh këtë tubim si një mundësi të mirë që zëri i qytetarëve të dëgjohet “në mbarë Europën”.