Autoritetet greke kanë dhënë alarmin për zhdukjen e një 14-vjeçareje shqiptare, gjurmët e së cilës kanë humbur që më 18 nëntor.
Mediat greke shkruajnë se e mitura shqiptare është parë për herë të fundit në zonën e Zephiros në Atikë, pasditen e datës 18 të këtij muaji, ndërkohë që fati i saj nuk dihet.
Policia greke ka dhënë karakteristikat e 14-vjeçares dhe kërkojnë ndihmën e publikut për marrjen e informacioneve të dobishme që mund të çojnë në gjetjen e saj.
“Miranda S. është e gjatë 1.60 m, peshon 50 kg, ka flokë gështenjë dhe sy kafe. Ajo ka një vathë në hundë. Ditën që u zhduk, ajo kishte veshur një triko të thurur gri, një fund me vija deri tek gjuri dhe një bluzë me vija. Kushdo që ka ndonjë informacion është i lutur të kontaktojë me telefon “Buzëqeshja e Fëmijës”, 24 orë në ditë, në “Linjën Evropiane për Fëmijët e Humbur 116000”, si dhe në të gjitha Drejtoritë e Policisë greke dhe gjithashtu përmes aplikacionit MissingAlertapp”, thuhet në njoftim e policisë.