“Kështu çelej gazeta “La nazione albanese”, e cila dilte në Romë, në numrin 22 të 30 nëntorit 1912. Njoftohet se Shqipëria shpalli autonominë (kur në fakt ishte shpallur pavarësia). Interesant është fakt se në faqen e parë të gazetës është vendosur princi Ahmet Fuat Pasha, i cili mendohej se mund të ishte në krye të principatës së re.”, shkruan në një publikim në faqen e tij në Facebook hulumtuesi e studiuesi i arkivave për Shqipërinë Kastriot Dervishi.
Ndërkohë, është me mjaft interes përmbajtja e numrit të kësaj gazete, ku shihet qartë se janë përmbledhur informacione apo lajme në data të ndryshme dhe nga burime të ndryshme, të cilat janë përmbledhur në gazetën me jetë 27 vjeçare (1897- 1924), të botuar nga italiani me origjinë arbëreshe Anselmo Lorecchio.
Londër, 28 – “Daily Telegraph” nga Durrësi: Autonomia Shqiptare është tashmë një fakt i përmbushur. Flamuri shqiptar është ngritur sot mbi Pallatin e Qeverisë. Të gjithë flamujt turq që valëviteshin në port, janë ulur.
Kostandijopojë (Stamboll), 28 – Krerët shqiptarë kanë shpallur autonominë e Shqipërisë.
Vlorë, 29 – Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatë të të gjitha rajoneve shqiptare pa dallim feje, të mbledhur sot në Vlorë kanë shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë konstitouar një qeveri provizore, duke shpallur kryetar Ismail Kemal bej Vlora. Delegatët e mbërritur deri tani këtu janë 80, priten të tjerë, mes të cilëve Isa Boletini, me forcat e aarmatosura.
Trieste, 29 – Njoftojnë nga Durrësi: Ka ngjallur mjaft entuziazëm fakti që ndërsa të shquarit shpallnin autonominë e Shqipërisë, mbërriti një irade (dekret) nga Sulltani i cili njihte dhe konfirmonte pikërisht autonominë. /ShkodraWeb/