Një dëshmitare ka treguar për Klan Kosova fjalët e fundit të 35-vjeçares Hamdije Magashi, përpara se ajo të ndërronte jetë.
“Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: ‘pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’”. Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka thënë dëshmitarja.
Vrasja e të resë ndodhi pikërisht në oborrin e Gjinekologjisë në Prishtinë, ku ka pasur edhe kalimtarë të shumtë. Gjithashtu bëhet me dije se 35-vjeçarja ishte duke jetuar me babanë e saj që kur u nda nga burri, i cili edhe i mori jetën.
Ndërkohë Policia e Kosovës e konfirmon se një grua rreth 35-vjeç dyshohet se është vrarë në oborrin e QKUK- së.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Gazetën Express tha se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”.