Shkruan në faqen zyrtare në Facebook Bardh Spahia, kryetar i Bashkisë Shkodër: Një vizitë pune në qytetin Timisoara në Rumani, që në vitin 2023 merr stafetën si Kryeqyteti Europian i Kulturës.
Gjatë ditëve të qëndrimit në këtë qytet pata kënaqësinë të zhvilloja një seri takimesh, me synim rritjen e fushave të bashkëpunimit të Bashkisë Shkodër me qytetet europiane. Me kryetarin e Bashkisë z. Dominic Fritz, Kryetarin e Qarkut z. Alin Adrian Nika dhe Prefektin z.Sorin Ionescu folëm gjatë mbi të përbashkëtat që kanë dy vendet tona, fushat e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave, veçanërisht në ato që lidhen me procesin e integrimit dhe rolin që kanë institucionet lokale.
Kjo vizitë më shërbeu për të hapur mundësitë e zhvillimit të një sërë aktivitetesh e projektesh në fushën e kulturës, turizmit dhe historisë, që së bashku me institucionet e Timisoara do t’i implementojmë në Bashkinë Shkodër dhe anasjelltas.
Faleminderit “ALAR”(Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë), me Përfaqësues z. Luan Topciu, dhe Deputetit të pakicave kombëtare Rumune z. Bogdan Alin Stoica për krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.