Memorie.al publikon historinë e panjohur të Dom Frano Illias me origjinë nga fshati Juban i rrethit të Shkodrës, i cili pasi u shkollua në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor në qytetin e Shkodrës, ai u dërgua në Itali për të ndjekur studimet e larta në Seminarin Ndërkombëtar të Etënve Lazaristë në Xhenova, të cilin e përfundoi në vitin 1943 dhe u kthye në Shqipëri, ku u shugurua meshtar e u emërua për të shërbyer pranë Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit. Pasi shërbeu për disa vite pranë Famullisë së Tiranës, Dom Frano Illia u emërua nga eprorët e ti,j për të shërbyer në Famullinë e qytezës së Milotit dhe fshatit Delbnisht të Kurbinit, ku ai krahas shërbesave fetare, i’u përkushtua për vite me radhë punës studimore shkencore në lëmin e Etnografisë, duke u endur nëpër fshatrat e zonës së Kurbinit e krahinat përreth, për të mbledhur doket e zakonet e tyre, studimi i të cilave do të përbënte veprën e më vonshme “Kanuni i Skënderbeut”, të cilën në vitin 1967, ai e dorëzoi pranë Sektorit të Etnografisë në Institutin e Studimeve të Kulturës Popullore në Tiranë. Arrestimi i tij dhe dënimi me vdekje, nga Gjykata e rrethit të Krujës e cila me akuzën si “armik i pushtetit popullor”, fillimisht e dënoi me vdekje, por më pas Kuvendi Popullor i’a fali jetën, duke ja zbritur në 25 vite burg, nga të cilat ai vuajti afro vjet dhe u lirua në vitin 1986, për t’u kthyer përsëri në qytezën e Milotit, nga ku filloi kalvarin e gjatë në kërkim të veprës së tij madhor “Kanuni i Skanderbegut”, duke i shkruar disa letra Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia dhe kryeministrit, Adil Çarçani! Si arriti Dom Frano ta gjente veprën e tij dhe ta botonte pak ditë para 25 prillit të vitit 1993, kur Shqipërinë e vizitoi kreu i Selisë së Shentë, Papa Gjon Pali i II-të, i cili e shuguroi Dom Franon, si Ipeshkv i Shkodrës!
Më 25 prill të vitit 1993, ditën kur kreu i Selisë së Shenjtë të Vatikanit, Papa Gjon Pali II-të, vizitoi për herë të parë tokën shqiptare, në Katedralen e Kishës së Madhe në Shkodër, së cilës i kthehej destinacioni i saj pas afro 25 vjetësh nga dita kur regjimi komunist do të mbyllte institucionet fetare dhe do të ndalonte me ligj ushtrimin e fesë, ai do të shuguronte dhe katër Ipeshkvit katolik, të cilët që nga ajo ditë do të udhëhiqnin hierarkinë e Klerit të Kishës Katolike Shqiptare që po ri ngrihej pas afro një çerekshekulli. Një nga këta klerikët të lartë të Kishës Katolike Shqiptare që atë fund prilli të vitit 1993, u shugurua nga Papa i Romës, ishte Dom Frano Illia, i cili po kurorëzohej si Argjipeshkvi i Shkodrës, në moshën 75-vjeçare, pasi kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Frano Illia lindi në vitin 1918, në katundin Juban të rrethit të Shkodrës, i cili është një ndër nëntë fshatrat që përbëjnë krahinën nga bregu i djathtë i lumit Drin, në lindje-jug-perëndim, deri te lumi Kir, në veri, që e ndan nga qyteti i Shkodrës. Katundi Juban shtrihet rreth rrezes perëndimore të malit Sheldisë dhe është fshati i dytë, për nga madhësia nga të nëntë fshatrat pas Gurit të Zi. Deri në moshën nëntëvjeçare, Frano Illia u rrit në këtë fshat dhe më pas ai falë zgjuarsisë dhe prirjeve të tij për librat, do të merrej nga famullitari i zonës, për të vazhduar studimet në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor Shqiptar në qytetin e Shkodrës. Në këtë Kolegj, Frano shquhej si një nga nxënësit tepër studios, jo vetëm në lëndët fetare, por dhe në ato të përgjithshme, sidomos në histori e letërsi, ku herë pas here hynte në debat dhe me pedagogët e tij gjatë orëve të mësimit. Pas mbarimit të këtyre studimeve në Seminarin Papnor të Shkodrës, Frano u dërgua për vazhdimin e studimeve të mëtejshme në Itali, ku ai u vendos në Xhenova së bashku me disa bashkëmoshatar të tij, të cilët vinin po nga ai seminar dhe u regjistruan për të vazhduar studimet në Seminarin Ndërkombëtar të Etënve Lazaristë në Xhenova. Pas studimeve në Xhenova, Frano u rikthye në qytetin e tij të Shkodrës në vitin 1943, ku nuk do t’i ndahej përsëri studimeve. Po në këtë vit, pikërisht më 18 dhjetor, ai do të shugurohej meshtar dhe do të mbante meshën e parë në këtë qytet. Pas shugurimit si meshtar, në qytetin e Shkodrës, Frano Illia emërohet nga eprorët e tij pranë Dioqezës së Durrësit dhe shërbeu në Tiranë pranë kësaj famullie, duke dhënë Katekizëm. Pasi shërbeu për disa vjet në famullinë e kryeqytetit, ai u emërua për të shërbyer në fshatin Skuraj në rrethin e Kurbinit.
Kurbini, ku Frano Illia mblodhi “Kanunin”!
Dom Frano Illia kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij në rrethin e Kurbinit, në kishat e Skurajt, Delbnishtit e Milotit, ku përveç shërbesave fetare ai u muarr edhe me studime, duke kryer kërkime të shumta në fushën e etnografisë, të cilat do t’i shërbenin në veprën e tij madhore “Kanuni i Skënderbeut”, që ai do ta botonte vetëm në vitin 1993, (kur kishte shkuar për kurime në Itali), me ndihmën e disa kolegëve të tij famullitarë, në provincat të ndryshme të Italisë. Lidhur me kohën e shërbimit të tij në rrethin e Kurbinit, Dom Frano Illia kujtonte: “Kam jetue në mes të popullit të Kurbinit qysh në vjetin 1936. Më hyni kaq në zemër ky popull, sa q’atherë m’u duk vetja Kurbinas. Që në fillim nisa me mbledh dromca historie, gojëdhënash dhe të folmes së këtij populli. Tue pas shumë afër disa pleq zakoni të zgjedhun e të aftë, m’u rrit dëshira për t’i rreshtue në mënyrë organike kanunet e zakonet e vendit dhe punimin e titulluar “Zakoni i Kurbinit”. Tue u thellue në këtë landë, tue zgjanue rrezen e veprimit, u njohta dhe me krahinat për rreth të Shqipnisë qendrore dhe këtë punim të plotsuem, m’u duk ma e drejtë ta quaj “Kanuni i Skënderbeut”, mbasi vërtetova mirë, se të gjitha këto krahinat, kishin një “kanun” të përbashkët, që u lidhka me shtëpinë e Kastriotëve dhe me emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Në çdo takim me njerëzit që takojshim, përfitojshim me shtrue çështje kanuni e gojëdhënash, tue pyet pleq edhe plaka, për sferën e tyre, me laps në dorë. Ndër pleq zakoni me një shenjë për njohjen e kanunit e të zakoneve të vendit dhe për gjyqe e pleqni, ka qenë LLesh Gjokë Malçi (1900-1979), nga Skuraj, plaku i parë i bajrakut të Kurbinit, shtëpia e të cilit, ka qenë themel kanuje që para shekullit XIV-të, si e tregon gojëdhëna në ditët e sotme”. Pas shumë vitesh që Dom Frano Illia u end nëpër fshatrat e Kurbinit e krahinat përreth, për të mbledhë doket e zakonet e tyre, studimi i të cilave do të përbënte veprën e më vonshme: “Kanuni i Skënderbeut”, ai u afrua pranë Sektorit të Etnografisë në Institutin e Studimeve të Kulturës Popullore në Tiranë (si bashkëpunëtor i jashtëm), për të bërë të mundur botimin e asaj vepre madhore. Lidhur me këtë, Dom Frano kujtonte: “Në verën e vitit 1967, u pa i mjaftueshëm materiali kanunor i mbledhur prej meje, për t’u shqyrtue nga një grup etnografësh në Sektorine e Etnografisë në Tiranë, me qëllim botimin e tij. U organizua një mbledhje me bashkëpunëtorë të jashtëm dhe të brendshëm, por mbledhja u shty për një herë tjetër, pasi mungonte një i ftuar i rëndësishëm i brendshëm. Ajo mbledhje nuk u bë më kurrë, por në vend të saj u bë një tjetër, duke m’u vënë hekurat e duke më plandos brenda në burg, më 23.9.1967”.
Viti 1967 Dom Frano Illia arrestohet dhe dënohet me vdekje!
Në vitin 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës po finalizonte goditjen përfundimtare kundër besimeve fetare dhe veçanërisht kundër Klerit Katolik, aty në qytezën e Milotit në shtatorin e atij viti, Dom Frani Illia do të arrestohej dhe do të dënohej me akuzën e njohur si “armik i populli” nga një gjykatë e rrethit të Krujës. Fillimisht atij i’u dha dënimi kapital, me vdekje, me pushkatim, por pas dhënies së atij dënimi (me vdekje), avokati i tij hartoi një lutje për t’ja paraqitur Presidiumit të Kuvendit Popullor, për faljen e jetës së Dom Franos dhe këtë ja paraqiti atij për firmë. Dom Frano, pasi e lexoi lutjen e avokatit të tij, nuk pranoi ta firmoste atë, pasi avokati kishte shkruar aty se: ai do të hiqte dorë përgjithmonë nga shërbimet fetare dhe besnikërisë ndaj Zotit. Dom Frano pranoi ta firmoste lutjen për faljen e jetës së tij, vetëm pasi avokati i fshiu nga ajo rreshtat që flisnin se ai (Dom Frano Illia) hiqte dorë nga feja. Në gjyqin që u zhvillua kundër tij, Dom Frano mbajti një qëndrim burrëror dhe zhvilloi polemika të ashpra me prokurorin, të cilit në fund ju drejtua: “Zoti prokuror, lum si ju, që na s’jena si ju”. Dënimi me vdekje ju komunikua më datën 25 prill të vitit 1968, me akuzën e sajuar si spiun i Vatikanit. Pas kësaj, ai jetoi me ditë e netë të tëra, duke pritur me ankth datën e ekzekutimit, e cila ju kthye në 25 vjet burg, që ai do t’i kryente në disa kampe të punës së detyruar.
Viti 1986, odiseja e kërkimit të “Kanuni i Skënderbeut”, deri tek Ramiz Alia
Në vitin 1986, pasi Dom Frano Illia, kishte kaluar për afro 20 vjet nëpër burgje e kampet e punës së detyruar të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ai doli nga burgu dhe u kthye në qytezën e Milotit, prej ku ishte larguar me pranga në duar në vitin 1967. Edhe pse doli nga burgu, ai ndiqej përsëri nga Sigurimi i Shtetit, pasi ai kryente fshehtas shërbesat fetare nëpër familje të ndryshme, që ja kërkonin atë shërbim. Po kështu gjatë asaj periudhe, ai do të fillonte odisenë e gjatë për kërkimin e veprës së tij “Kanuni i Skënderbeut”, që i kishte kushtuar gati 20 vjet punë dhe studime. Përveç veprës madhore “Kanuni”, Dom Frano Illia kishte përkthyer vëllimin e shtatë të veprës voluminoze “Ylliricum Sacrum”, një vepër që i kishte kushtuar shtatë vite punë të pa ndërprerë, të cilën e dorëzoi së bashku më “Kanunin” pranë Insitutit të Studimeve të Kulturës Popullore në Tiranë dhe që nuk ju kthye më. I bindur për rëndësinë e madhe që do të kishte në lëmin e Etnografisë Shqiptare “Kanuni”, i nxitur dhe nga disa miq të tij, Frano detyrohet t’i shkruajë një letër Ramiz Alisë, duke e nisur atë nga qyteti i Shkodrës, ku banonte përkohësisht. Në këtë letër ai shkruante:
Letra e Dom Frano Illias, drejtuar Ramiz Alisë
Shokut Ramiz Alia
Sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së
Tiranë
Unë i nënshkruemi Frano Illia, ju drejtohem për sa vijon: Si bashkëpunëtor i jashtëm i sektorit të Etnografisë, sot Instituti i Kulturës Popullore, kam mbledhur, përpunuar dhe kodifikuar sipas kritereve juridike, “Kanunin e Skënderbeut”, Kanuni i Shqipërisë qendrore: Dibër, Mat, Krujë etj., mbi 700 faqe të daktilografuara, format mesatar. Në vjeshtën e vitit 1967, punimi lartpërmendur i’u parashtrua Komisionit të Sektorit t’Etnografisë, me të ftuar jurist të jashtëm, si Emil Tedeskin e Vangjel Meksit. Ky komision, pasi bëri vërejtjet e sugjerimet e veta dha mendimin që punimi të botohej. Ndërsa ishim tue zbatue vërejtjet dhe sugjerimet, jam arrestue dhe punimi i papërfunduar u depozitue për t’u ruajtur në arkiv të Sektorit. Me dekret të posaçëm Nr.7029, datë 9.4.1986, të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, m’u fal dënimi i mbetun. Më 21.4.1986, ju drejtova Institutit të Kulturës Popullore, që të ma kthente punimin, për ta përfundue e për ta përmirësue. Më 28.5.1986, Instituti m’u përgjigj negativisht, tuj më thane: “e kemi blerë”. Më 2.12.1986, ju drejtova Kryeministrit Sh. Adil Çarçani, i cili më datë 26.9.1986, m’u përgjigj, se letrën time ja kishte dërguar Ministrisë së Arsimit e Kulturës, për kompetencë e përgjigje. Më 6 mars 1987, më takuen dy përgjegjësit e Institutit, njëri ndër ta Abaz Dojaka, me të cilin njihesha që në sektor kur punoja atje. Ata gojarisht m’u përgjigjën:
- Të asht njoft dhe të njihet autorësia.
- Punimi nuk është pague.
- Punimi asht depozitue në Arkiv të Institutit të Kulturës Popullore për t’u ruajtur.
- Do të jepet për t’i dhanë shikimin e fundit kur të caktohet për botim nga Akademia.
Mbas insistimit tim, që punimi të më dorëzohej, tashti për ta përfundue e përsosë, meqë edhe në moshë 70-vjeçare edhe me një koleksion sëmundjesh, më thane: “do të mendojmë”! Që atëhere dhe sot, megjithëse ja kam kërkuar dhe ndonjëherë tjetër, asnjë përgjigje, as negative, as pozitive. Mbasi trokita kot në të gjitha dyert e mundshme, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju drejtohem ju, autoritet ma i naltë. Tue kërkue punimin tim, si kërkon prindi fëmijën e vet, kam besim shoku Ramiz, që lutjen time, që mua më duket krejt e arsyeshme dhe e ligjshme, ta merrni ju parasysh dhe me këtë besim, nënshkruem me shumë nderime.
Frano Illia
Shkodër 9.6.1987
Edhe pas kësaj letre dërguar Ramiz Alisë, Dom Frano Illisë nuk ju kthye kurë vepra e tij, të cilës ai i kishte kushtuar gati dy dekada. Në fundin e viteve ’80-të, Frano qëndroi në qytezën e Milotit, ku shumë familje e ndihmuan dhe e mbajtën atë edhe nëpër shtëpitë e tyre. Me shembjen e regjimit komunist dhe ri ngritjen e besimeve fetare, Dom Frano do të angazhohej përsëri në shërbim të Klerit Katolik dhe më 11 nëntor 1990, ai do të mbante meshën e parë, në fshatin e tij të lindjes, në Juban të Shkodrës, meshë e cila do të ndiqej nga shumë bashkëfshatar të tij dhe fshatrat përreth.
Çfarë i tha Dom Frano, njeriut që i kishte dalë dëshmitar në gjyq?
Pas viteve ’90-të, kur Dom Frano, rihyri në hierarkinë e Klerit Katolik dhe u caktua në qytetin e Shkodrës. Por edhe pse në një moshë të thyer, ai do të vazhdonte përsëri studimet në fushën e Etnografisë. Një ditë në zyrën e tij të punës, hyri një njeri i panjohur. Portieri që shërbente tek dera, lajmëron Kolec Çefën (studiuesi i njohur), që punonte pranë Dom Franos dhe ai ngjitet lart, ku i panjohuri ishte ulur në kolltuk përballë Monsinjorit plak. Lidhur me bisedën që u zhvillua në mes tyre, Kolec Çefa kujtonte:
Burri i panjohur ju drejtua:
-“A më njeh mua Monsinjor Frano”?
-“Jam plak’, i përgjigjet Frano, ‘kam fillue me harrue”.
-“Po më shiko mirë bre, se më njeh”, ngulte këmbë i panjohuri.
-“Po s’më kujtohesh, po më thuaj pse ke ardhë”, i drejtohet Dom Frano.
-“Po si mo nuk të kujtohem?! Ne jemi njohtë mirë bashkë”, ngulte këmbë i panjohuri.
-“Mos më mundo, po fol se ç’hall ke, çfarë mund të ndihmoj”?
-“Po a e di kush jam unë”, ngulte këmbë i panjohuri!
-“Unë kam ardh me të kërkue të falun, se ty të kam dënue me burgim të rëndë, se të kam paditë. Kam ardh me të kërkue të falun”, ju drejtua i panjohuri.
-“Po je lodh kot more zotëri, se unë të kam fal që në atë çast more, po fol se ç’hall ke”?
-“Unë nuk kam asnjë hall, por ti ma ban hallall, se të kam dal dëshmitar në gjyq, a ta tregoj emnin se ndoshta të kujtohem se kush jam”, i drejtohet Franos i panjohuri.
-“Po unë me të pas mbajt mend emnin, kisha mbajt mend edhe inatin, po ne s’na len Krishti me mbajt inat”.
Burri i panjohur sikur u lirua nga ajo barrë e rëndë që e mundonte prej kohësh. Mandej vazhduan bisedën miqësisht njëri me tjetrin”, dëshmon Kolec Çefa, i cili ishte prezent në këtë bisedë.
Botimi në Itali i veprës madhore “Kanuni Skënderbegut”
Në fillimin e vitit 1993, Dom Frano Illia ndodhej në Itali për kurim, pasi vuante nga disa lloj sëmundjesh dhe aty ai i ndihmuar nga disa miq të tij e kolegë të hierarkisë fetare, si Dom Mikelanxhelo Braga, famullitar i Famullisë së Lumit “Luigji Palazolo” në Vreshje dhe At Daniel Gjeçaj, të cilët mblodhën ndihma e kontribute financiare duke bërë të mundur botimin në Itali të veprës madhore “Kanuni i Skanderbegut”, romanet “Dava” dhe “Jezusi”, tre vepra me mbi 700 faqe. Po atë vit, më 25 prill 1993, pak kohë pasi ishte kthyer nga Italia, me tri veprat e tij të botuara, ai do të shugurohej si Argjipeshkvi i Shkodrës, nga vetë Papa i Gjon Pal ii II-të, gjatë vizitës së tij të vetme në Shqipëri. Por Dom Frano nuk pati “mundësinë” ta ushtronte shumë gjatë atë funksion të lartë të hierarkisë fetare, pasi vetëm katër vite më vonë, më 2 nëntor 1997, në orën 22.30, në duart e Dom Mikelit (prift Italian) në qelën e Katedrales së Shkodrës, ai ndërroi jetë. Pas vdekjes së tij, me vendim të Këshillit të Ministrave, duke u mbështetur, në forumet shkencore të Sektorit të Albanologjisë, Etnografit, studiuesit, përkthyesit e prozatorit të shquar, i’u akordua titulli Profesor. /Nga Dashnor KALOÇI/