Deputeti i PS- së i qarkut Shkodër Benet Beci, kandidat i pashpallur zyrtarisht për bashkinë Shkodër, ka zhvilluar një vizitë në mjediset e shtëpisë muze të patriotit Pashko Vasa në qytetin më të madh të Veriut.
Në një publikim në rrjetet sociale, shoqëruar me disa foto ku dallohen ish- zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni dhe aktivisti social Mirsad Basha, deputet- kandidati Beci, shpreh një shqetësim të ligjshëm për konservimin dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore:
“Bashkë me Zefin e Mirsadin, shkojmë te shtëpia e Pashko Vasës, ku na pret Rajmonda. E dimë mirë çfarë do të na thotë ajo…ka trokitur në çdo derë për të kërkuar ndihmë që kjo shtëpi e mrekullueshme të shpëtohet nga rrënimi…E di që shpesh pas atyre dyerve e kanë parë si ” të bezdisshme”…
Ndërhyrjet që ka pësuar banesa në vitin 2012 e më pas në 2018, janë bërë keq e kjo është lehtësisht e dallueshme. Rajmonda flet me ngutin e dikujt që ka frikë se shtëpia po i shembet ndërkohë..po ajo nuk ka asgjë tjetër në dorë.
Përgjegjësia dhe këmbëngulja e qytetarëve të tillë, që në Shkodër janë të shumtë, duhet përcjellë në institucionet që munden vërtet ta ruajnë e ta pasurojnë trashëgiminë e këtij qyteti.“, shkruan Beci.
Ndoshta deri në vizitën në këtë objekt të rrallë dhe me vlera edhe përtej Shkodrës, deputet- kandidati Beci nuk e ditur problemim me këtë shtëpi apo edhe me të tjera të ngjashme. Jo pak herë, në media lokale e më pak në ato kombëtare (për çeshtje hapësire e vëmendje), trashëgimtarja Rajmonda, ka kërkuar që kjo shtëpi karakteristike të mirëmbahet nga shteti.
Vetëm pak javë më parë, edhe ish- zëvendësministri Zef Çuni e ngriti këtë problem për të disatën herë, teksa rreth 8 muaj më parë, përmes një publikimi në rrjetet sociale, jepte alarmin se kjo banesë po shembej:
“Një tabelë në portën e shtëpisë ku shkruhej: “Monument Kulture” nuk mbrohet nga shteti (nuk mbrohet ishte shtuar nga dikush) më shtyu të trokisja në derë dhe të takoja trashëgimtaren Rajmonda Vasa (e shoqja e të ndjerit Kolec Vasa, nip i Pashko Vasës), e cila më njohu me gjendjen e shtëpisë.
Në fakt ishin bërë dy herë ndërhyrje, një në vitin 2009 dhe një në vitin 2018 por që pa frikë mund të them se firma që ka punuar, aty është firmë abuzuese, nuk ka lidhje me restaurimin dhe i duhet hequr licensa që nuk dihet si e ka marrë, pasi po bën dëme në mjaft monumente si në Kalanë e Shkodrës dhe në Kullat e Thethit.
Meqenëse këtë vit është 130- vjetori i vdekjes së këtij veprimtari të shquar të Rilindjes Kombëtare, duhet që Ministria e Kulturës në vazhdën e veprave të mira të bëra për Muzeun Marubi, Teatrin Migjeni, Varrezat e Rrmajit etj., ta konsiderojë në përparësitë e këtij viti restaurimin e këtij monumenti historik dhe arkitekturor që të mos rrënohet edhe ky si Shtëpia e Gurakuqit, Daut Boricit, apo si dëmtimet e rënda që kanë pësuar edhe objekte të tjera si shtëpia e Hodo Sokolit, Dan Hasanit etj.
Nga ana tjetër edhe Bashkia duhet ti konsiderojë dhe të mbrojë edhe pjesën e vjetër muzeale nga ndërtimet pa leje dhe transformimet e bëra në sytë e tyre.
Poezia e Pashko Vasës “O moj Shqypni e mjera Shqypni ” ishte motivi politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
O MOJ SHQYPNI , E MJERA SHQYPNI
KUSH TË KA QITË ME KRYE N’HI ?
TI KE PAS KENË NJË ZOJË E RANDË ,
BURRAT E DHEUT TË THIRRSHIN NANË.
…….
ÇONIU SHQIPTAR PREJ GJUMIT ÇONIU,
TË GJITHË SI VLLAZEN N’ NJI BESË SHTËRNGONIU
E MOS SHIKONI KISHA E XHAMIA :
FEJA E SHQYPTARIT ASHT SHQYPTARIA.
Nga ana ime do ti dhuroj DRTK Shkodër projektin e restaurimit të kësaj shtëpie.“, shkruante Zef Çuni në hapësirën e tij mediatike në Facebook.
Arkitekti Çuni identifikon ku është problemi, teksa premton se “Nga ana ime do ti dhuroj DRTK Shkodër projektin e restaurimit të kësaj shtëpie”. Shkurt e shqip, pavarësisht se përmendet edhe bashkia Shkodër me fjalinë “Bashkia duhet ti konsiderojë dhe të mbrojë edhe pjesën e vjetër muzeale nga ndërtimet pa leje dhe transformimet e bëra në sytë e tyre”, rrënimi i kësaj vlere është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, instancave qendrore e vendore në përgjegjësi të saj.
Edhe pse Beci është pjesë e përfaqësues i kësaj mazhorance që qeveris prej mëse 10 vitesh, që me kartonin e tij në Kuvend ka miratuar edhe ministren aktuale të Kulturës, vizita në shtëpinë e Pashko Vasës, është shenjë pozitive për të vënë në lëvizje instancat që të kthejnë sytë nga mirëmbajtja e kësaj vlere të padiskutueshme të Shkodrës.
Ashtu siç u zhdukën shumë vlera të këtij qyteti, mes të cilave edhe shtëpia e Luigj Gurakuqit, nuk duhet të ndodhë e njëjta gjë edhe me shtëpinë e Pashko Vasës, tashmë në vëmendjen zyrtare të deputet- kandidatit të PS- së Benet Beci, në fushatë të pashpallur për bashkinë Shkodër. /ShkodraWeb/