Ne gazetarët por jo vetëm, e dimë se fushata elektorale e radhës fillon minimalisht 6 muaj para datës së caktuar nga Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës e ligjit përkatës elektoral. Jo më kot, 12 mujori që i paraprin datës, e cila duhet të shpallet të paktën 9 muaj para skadimit zyrtar të afatit të mbajtjes së zgjedhjeve, rëndom konsiderohet nga politika dhe jo vetëm si “vit elektoral”.
32 vitet e fundit kanë treguar se, sidomos pushtetmbajtësit e radhës, përdorin të gjitha resurset e mundshme, edhe të shtetit, për fushatën, më saktë, atë që mund të konsiderohet “fushatë e pashpallur” zyrtarisht. Edhe këto prag zgjedhje, natyrshëm nuk mund të bëjnë përjashtim. Sigurisht, nuk bën përjashtim as Shkodra, në rrugëtimin e “betejës” për bashkinë e saj.
Premtime pa fund të tipit “drita, ujë, rrugë pa ndërprerje”, i kanë paraprirë fushatave zyrtare e janë artikuluar aq shpesh deri në kakofoni. Tashmë prej disa vitesh, po luhet edhe me simbole, sidomos brenda “vijave të verdha”. Simbole që rreken të ngjallin përveç krenarisë së natyrshme, edhe “qasjen sensitive” ndaj tyre të kandidatëve të shpallur e të pashpallur.
Vitet e fundit janë zbuluar indicie e prova që flasin për ekzistencën e një qytetërimi 5 mijë vjeçarë rreth e rrotull Shkodrës. Pavarësisht tallazeve të merituara ose jo, vijimësia e kësaj qytetarie nuk është ndërprerë asnjëherë. Genet e forta, të trashëguara e kultivuara nga thellësitë e shekujve të ekzistencës, janë “stërvitur” për reagim, edhe kur ai është i padukshëm në sytë tanë.
Mbi të gjitha, kujtesa është ajo që bën diferencën, e cila të paktën për Shkodrën, përgjatë mijëra viteve të ekzistencës por edhe këto 32 vite, ka dhënë prova të forta se nuk është kujtesë “blic”. Për arsye që dihen por edhe mund të mirëkuptohen. Përtej aludimeve apo “betejës” më shumë politike të argumenteve dhe kundër argumenteve.
Në këtë konfigurim të krijuar e konsoliduar, kandidatët, qoftë të shpallur apo të pashpallur, në mëdyshje apo të vetofruar, duhet të jenë të kujdesshëm, nëse duan që të marrin rezultatin e dëshiruar, jo vetëm me 14 maj 2023 por edhe në përballje të tjera. Premtimet utopike, janë po aq të dëmshme sa edhe mosmbajtja e tyre. Njëkohësisht, shpërfaqja me imazhe totalisht të ndryshme nga qasja e zakonshme afatgjatë, do të sjellë dëme të pariparueshme, të konvertuara nën fuqinë e votës. /Nga Blerti DELIJA/