Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të punës për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të ndodhura më parë, kanë bërë të mundur zbardhjen e 4 vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Shkodrës, gjatë muajit dhjetor, 2022.
Si rezultat, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshave, për 4 shtetas të mitur, 14 dhe 15 vjeç, banues në Shkodër dhe Lezhë. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar, se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa vjedhjeve, konkretisht:
-Më datë 19.12.2022, në lagjen “Vasil Shanto”, në ambientet e poliklinikës së qytetit, kanë vjedhur një celular;
-Më datë 16.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, kanë vjedhur një motoçikletë;
-Më datë 01.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, kanë vjedhur një biçikletë;
-Më datë 01.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, në oborrin e Spitalit Rajonal Shkodër, kanë vjedhur një motoçikletë.
Në vijim të hetimeve për këto raste, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë, edhe për shtetasin A. M., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, pasi dyshohet se duke patur dijeni, ka blerë një biçikletë të vjedhur nga të miturit.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.