Pesë ditë më parë, ShkodraWeb publikoi në hapësirën e vet mediatike një opinion të koleges gazetare Eliona KODRA SHKRELI, me titull “Oboti i rrethuar nga uji dhe tre gra shtatzëna, prej tre vitesh një mami’ e licensuar nuk punësohet…”.
Në këtë artikull, kolegia trajtonte temën e mungesës së një punonjëse shendetësore “mami” në Obotin e rrethuar nga uji i përmbytjeve, duke evidentuar se janë edhe 3 gra shtatzëna në pritje të lindjes së fëmijëve.
Lidhur me këtë opinion, në redaksinë e ShkodraWeb, ka ardhur një përgjigje- reagim nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër, të cilën po e publikojmë të plotë më poshtë:
Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër shpreh mirënjohje dhe vlerëson sakrificën e pazakontë të personelit shëndetësor në situata të vështira në zonat e përmbytura.
Të gjitha qendrat shëndetësore janë në funksion të plotë me kapacitetet profesionale njerëzore dhe baza mjekësore të nevojshme në dispozicion të banorëve që kërkojnë shërbimin shëndetësor.
Referuar ofrimit të shërbimit shëndetësor në zonën e Obotit, për të cilen portali juaj e paraqet si problematikë, DROSHKSH Shkodër dëshiron të sqarojë dhe informojë opinionin publik.
LEXONI EDHE: OPINION – Oboti i rrethuar nga uji dhe tre gra shtatzëna, prej tre vitesh një mami’ e licensuar nuk punësohet…
Shërbimi i Nënës dhe i Fëmijës në qendrën shëndetësore Ana e Malit, ku bën pjesë dhe ambulanca Obot, ofrohet nga profesionistë të profilit “mami” që zënë më shumë se 1/3-ën e personelit infermieror pranë kësaj qendre. Në organiken e kësaj qsh-je janë të emëruar 14 profesionist infermier-mami, nga të cilët 8 (tetë) janë të profilit infermier dhe 6 (gjashtë) të profilit mami.
Në kuadër të garantimit të masave për shëndetin publik, strukturat shëndetësore konsolidojnë burimet njerëzore të disponueshme aty ku konsiderohet e nevojshme, konkretisht në zonen e përmbytur, për arsye të ruatjes së qëndrueshmërisë së shërbimit.
Mekanizmi i punësimit për teknikët e shkencave mjekësore është portali “Infermier për Shqipërinë”, i cili udhëhiqet bazuar në parimet e meritokracisë dhe transparences. Aktualisht, në këtë qendër shëndetësore nuk ka raportime për vende vakante. Specialistja “mami”, banore e zones Obot, është e renditur e 32-ta nga 46-të kandidat të shpallur fitues në listen pritëse për Njësinë Shkodër.
DROSHKSH Shkodër garanton komunitetin për cilësi, siguri dhe besueshmëri në dhënien e shërbimit shëndetësor në njësinë administrative Oblikë, Ana e Malit.
Faleminderit për bashkëpunimin!
Suida KUKA
Drejtor Rajonal
DREJTORIA RAJONALE SHKODËR