Vazhdojnë të vijnë çdo ditë denoncime të “bëmave” të policëve të qarkullit rrugor apo patrullave të rendit lidhur me abuzimet me detyrën, përmes vendosjes selektive të gjobave.
Sot kemi përzgjedhur rastin e një qytetari, i cili me makinën e tij, të patkuar tek i njëjti vend, ka marrë dy gjoba të njëpasnjëshme brenda më pak se 6 orëve, me 16 shtator 2022.
Mjeti ka qenë i parkuar në Bulevardin “Zogu I” dhe gjoba e parë është vendosur në orën 13.5 (siç është shkruar me vetë dorën e policit mbi letrën e e gjobës), pa qenë prezent drejtuesi i mjetit. Përcaktohet qartë edhe shkelja dhe ligji të cilit i referohet.
Pa kaluar 6 orë, makina e parkuar në të njëjtin vend, merr një tjetër gjobë, këtë herë 1.000 lekë. Ky polic tregohet më “zemërgjërë”, krahasuar me atë të gjobës së parë që vendosi gjobën 2.000 lekë. Madje, dy gjobat, si për të provuar shkeljen e ligjit, lihen të dyja afër njëra- tjetrës.
Ky rast, është shkelja flagrante e radhës e çapaçulëve policë të qarkullimit dhe jo vetëm të Shkodrës. Të atyre që nuk guxojnë të shohin në sy “të fortët” e “të paprekshmit” dhe për të realizuar normën, edhe në shkelje të ligjit, iu turren qytetarëve të thjeshtë e të zakonshëm.
Është momenti që shefat të ndërhyjnë, të vënë rregull në këtë katrahurë. Nëse nuk janë të përfshirë, duhet të gjejnë mundësi e forcë të flakin të tillë policë që turpërojnë uniformën e shtetit. Është momenti që dikush të bëhet shembull me forcën e ligjit.
Përsërisim sërish apelin tonë për të vijuar denoncimet në whatsapp dhe viber në numrin +355 67 300 20 70 dhe mail në adresën info@shkodraweb.com. Garantojmë ruajtjen e plotë të anonimatit për të gjithë ata që duan të denoncojnë padrejtësitë, ngado që ti vijnë.