Orët e fundit ka patur një lëvizje politike në Shkodër. Deputeti i vetëm i LSI- së, sot PL, Agron Çela, ka braktisur partinë me të cilën mori tre mandate radhazi. Ky është fakt i kryer ndërsa edhe për kalimin zyrtar në radhët e PS- së, duhet pritur formalizimi me 16 janar 2023 kur do të deklarohen deputetët për përkatësinë e tyre në grupet parlamentare në Kuvend.
Pas kësaj lëvizje, kanë nisur të bëhen llogaritë për “14 majin” e zgjedhjeve vendore, në disa raste të gabuara sespe referencë paraqiten rezultatet e zgjedhjeve politike. Nuk është e vështirë të kuptohet, për ata që kanë ndjekur në vijimësi zgjedhjet, se nuk mund të hiqet asnjë paralele mes rezultateve politike (zgjedhjeve për Kuvend) me ato për qeverisjen vendore.
Shembulli më i freskët është ai i zgjedhjeve vendore 2015, të vetmet të verteta dhe me rivalë. Në atë kohë, kur dyshja Rama- Meta jetonin “periudhën e dashurisë” politike, vetëm 2 vite kur PD- ja kishte marrë “1 milion shuplakat” e famshme, kandidatja Keti Bazhdari nuk ia doli të mundë Voltana Ademin. Madje, u shënua një nga fitoret më të thella të PD- së në Bashkinë e Shkodrës.
Me 14 maj 2023, konfirgurimi duket disi më i ndryshëm, me gjasë, edhe “projektet politike” të ndryshme. PS- ja, me mbështetjen e aleatëve të dukshëm e të padukshëm politikë, synon “përmbysjen e madhe” në Bashkinë e Shkodrës. Pas 32 viteve, kërkohet marrja e “kështjellës” së pakontestueshme të PD- së, e cila pasi kaloi 2019- ën, i mbijetoi edhe 6 marsit 2022 në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Të gjykosh gjakftohtë, nuk do të thotë të nisesh nga prerogativa se “shkodranët votojnë gjithmonë kundër vetes dhe interesave të tyre”. Ky do të ishte naivitet. Në fakt, arsyetimi nis që para 1990- ës por duhet perqendruar pikërisht në 30 vitet e fundit. Ka vetëm një rast, viti 1996, kur për shkak të konfigurimit të përgatitur me mjaft kujdes, PD- ja humbi kreun e Bashkisë Shkodër. Por gjithsesi, për shkak të ligjit të kohës për qeverisjen vendore, përmes Këshillit Bashkiak, PD- ja e udhëhoqi bashkinë.
Situata e atij viti, vështirë të përsëritet, aq më shumë kur tashmë dy kandidatët kryesorë, janë të zyrtarizuar: Bardh Ali Spahia dhe Benet Bahri Beci. Një kandidat i tretë, pavarësisht potencialit, vështirë të arrijë “të prishë punë” me numra mes të dyve. Të paktën, këto 30 vitet e fundit, edhe 6 mars 2022, këtë ka treguar.
Në zgjedhje vendore, llogaria është më e thjeshtë. Sigurisht, kryetari në detyrë që rikandidon, ka më shumë bonuse se sfidanti i tij. Nga ana tjetër, interesat e zgjedhësve, shkodranëve, janë të lidhura direkt me drejtuesin e qeverisjes vendore, duke nisur nga kryetari i bashkisë, administratori dhe deri tek kryetari i rajonit apo i fshatit. Zotërimi i këtyre linjave, është një tjetër bonus i rëndësishëm në fushatë. Administrata e bashkisë, njësive administrative, ndërmarrjeve të varësisë, janë një tjetër “detashment” i rëndësishëm, i cili “lufton” më shumë për vete, duke qenë një bonus i radhës për PD- në. Janë të shumta bizneset, shoqatat, organizatat, institucionet e huaja, individët që kanë patur të lidhura interesat me administratën bashkiake në të gjitha nivelet. Vijimësia e aktivitetit të tyre, është e garantuar 100% nëse kontribuojnë për ruajtjen e status- quo- së.
Situata aktuale në PD, vështirë të prodhojë bonuse më të mira se ato të 6 marsit 2022 për rivalët e PD- së në bashkinë Shkodër. Nga ana tjetër, edhe brenda vetë PS- së por edhe aleatëve të saj të dukshëm e të padukshëm, ndërthuren interesa personale të eksponentëve. Shumë syresh, janë të kujdesshëm të paktën në qasjen e tyre publike ndaj PD- së, me idenë e konsoliduar se bashkia e Shkodrës vështirë të ndryshojë ngjyrë.
Përballë kësaj armate të konsoliduar, përmbysja duket e vështirë, gjithmonë me rrugët e njohura, deri diku legale. Megjithatë, këto 32 vite kanë treguar se jo gjithmonë politika konvertohet thjesht dhe vetëm në numra. Surprizat apo “mrekullitë” ndodhin, por shumë rrallë. Edhe “rënia e Shkodrës” mund të ndodhë vetëm në kuadër të një “mrekullie”… /Nga Blerti DELIJA/