Është traditë që fëmija i parë që lind në Spitalin Rajonal të Shkodrës, të jetë që në orët e para në vëmendjen e mediave. Në faqen zyrtare në Facebook të Spitalit Rajonal të Shkodrës, është publikuar fotoja e fëmijës së parë që erdhi në jetë në vitin 2023.
“Mirë se erdhe Rikardo. Është djalë fëmija i parë i vitit 2023, që lindi shëndosh e mirë në maternitetin e Spitalit Rajonal Shkodër.”, shkruhet në publikimin në Facebook të institucionit.
Gjinia e fëmijës së parë që vjen në jetë, “përcakton” edhe si do të jetë viti në vijim: Vit djemsh apo vajzash. Në fakt, është më shumë një gjetje mediatike se e bazuar në statistika.
ShkodraWeb i uron jetë të gjatë e të lumtur Rikardos, ashtu si të gjithë fëmijëve të tjerë që do të vijnë në jetë në vitin 2023.