Spektakli i vallëzimit “Dancing with the stars” (DWTS) ka ulur siparin në edicionin e tij të parë në Top Channel. Fituese u shpall Sara Hoxha ose siç njihet, “Sara e Ledrit”. Finalja e madhe ishte në mes Sarës, Ardit Çunit, Megi Pojanit dhe Elhaida Danit.
Në fund të tre kërcimeve të përgatitura, juria profesionale me kryetar Kledi Kadiu, renditi të parët, me pikë të barabarta Sara Hoxha dhe Elhaida Dani, ku dukshëm, kjo e fundit, sipas vlerësimeve, ishte më lart se konkurrentët e tjerë.
Megjithatë, ka qenë “votimi popullor”, përmes SMS- ve, ai që ka përzgjedhur edhe fituesin. Sara Hoxha, u shpall fituese duke marrë kupën por edhe çmimin e lakmueshëm financiar prej 50 mijë euro.
Gjatë natës finale, në mbështetje të Sarës, ishte edhe bashkëshorti i saj, këngëtari i mirënjohur Ledri Vula, prania e të cilit duket se ka sjellë jo pak “vota popullore” për “Sarën e Ledrit”. Madje, përveç inkuadrimit në kamera, mes dy bashkëshortëve ka patur edhe shkëmbim puthjesh nën dritën e kamerave, duke ndikuar direkt në votën popullore.
Nga ana tjetër, siç e vlerësuan edhe juria, Elhaida ka qenë shumë korrekte gjatë gjithë spektaklit, edhe në natën finale. Ajo që ngjalli mjaft dyshime deri në paracaktim të fituesit, ishte një letër që Sara Hoxha lexoi në fund të spektaklit, pasi u shpall fituese. Produksioni e konsideroi si diçka normale, “nëse do të fitonte kupën e DWTS”.
Padyshim, fituesja morale është shkodrania Elhaida Dani, e cila mahniti të gjithë shqiptarët për talentin e saj në kërcim, pasi është konfirmuar tashmë një divë si këngëtare, brenda e jashtë Shqipërisë.