Pas marrjes së autorizimit nga Kuvendi për kontrollin e banesës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, prej orës 14:00 të ditës së sotme e deri më tani, oficerët janë mbyllur në banesë dhe kanë kryer veprimet e nevojshme proceduriale.
Kontrolli i banesës së Tahirit është kryer në praninë e avokatit mbrojtës të ish-ministrit, Maks Haxhisë.
Rreth orës 16:00 oficerët kanë përfunduar kontrollin dhe kanë dalë nga shtëpia me dy valixhe metalike në duar. I kanë futur ato në bagazhin e një prej furgonëve që prisnin jashtë shtëpisë së ish-ministrit dhe janë larguar më pas.
Se çfarë fshihet brenda atyre valixheve dhe se çfarë provash kanë gjetur e kanë marrë oficerët, këtë nuk e dimë. Deri më tani, as ministri Tahiri, i cili i shpëtoi për një fije arrestimit, nuk ka dalë në ndonjë deklaratë për mediat apo për të sqaruar opinionin publik.