Modeli për ti hapur rrugë të marrit ose si thonë në Shkodër të marrit (trim), është tashmë një retro kulturore folklorike. Duket urbane, ose tolerante, por në fakt është një folklorizëm i fshatit të vogël, lagjes së vogël dhe rrugicës por jo qytetërimit. Futu pa rradhë dhe merr pa radhë shërbimin e të tjerët në rradhë “hapi rrugë të marrit” se ky i marri, na qenka ai që merrka pa rradhë, jo se është maskara po se na qenka i marrë?
Kjo është filozofi kompromisi me të keqen që Europa e ka ndarë si model që me Bastijën ose me Luigjin e 16-të! Bëj të fortin dhe konsideroju “i marrë në rrugë”, bëj të fortin dhe konsideroju “i marrë” si drejtor apo si shef dhe po ashtu dhe si punëtor. Liroi rrugë të marrit ose budallait dhe në fund të gjithë kuptojnë se ai nuk është budalla, por i poshtër dhe përfitues. Ulurit politikisht, thirr turmën për interesin tënd, bëj të “marrin e guximshëm” dhe sigurisht ata më larg thonë – hapi rrugë budallait dhe larg meje i marri! Mbas kësaj fillon komformizmi me të keqen.
Parkohen të fortët që bëjnë si të marrë (me kuptimin e fortë) dhe polici ikën se – po i liron rrugën të marrit, duke mos kryer as detyrën! Po pra dhe shpik batutën është “i marrë filani” dhe ai pastaj përfiton çdo gjë, sepse tolerohet nga të gjithë, sepse është me gradën “I marrë” që barazohet me titullin ose gradën Profesor! I marrë ky dhe i fortë ky, e shoqëria shqiptare ka kaluar në transformerin e “marrisë” në qënësi politike dhe filozofi jete! “Lene mor se ky politikan është i marrë” (i fortë pra) lene mor këtë, e atë dhe ata prosperojnë dhe lartësohen politikisht dhe ekonomikisht – të marrët.
Hapi rrugë budallait dhe të marrit thonë dhe në jug dhe sigurisht hapi rrugë këtij dhe hapi rrugë atij e ato pastaj kanë rrugën në dispozicion. Po sepse “i marrë” nuk thonë vetëm në Shkodër dhe veri, por thonë dhe në Korçë dhe Vlorë! Në Shqipëri i thonë i marrë – të fortit, dhe atij që pyet vetëm veten dhe nuk merr parasysh se ka të tjerë përqark. Rregulla përqark. Ligje përqark tij! Në të vërtetë shumë të marrë tashmë kanë “marrë” të drejtën e VIP-it dhe janë kudo në televizione, në zyra dhe në drejtim.
Ju është hapur rruga se janë të marrë, trima me fletë dhe të bëjnë të fortin apo “të marrin”! Bëjnë thyesin e ligjit dhe kjo shoqëri në vend që tju thotë keqbërës, thyes të ligjit dhe të poshtër, ju thotë – janë të marrë prandaj hapini rrugën! Nuk mund të jetë konformuar më kaq shumë sa ne si shoqëri me të keqen dhe “të marrin” askush në Ballkan! Në Shqipëri është parajsa e “të marrit me rrugë të liruar” dhe sigurisht është dhe demokracia e tillë. Shteti i të “marrëve” që ju është liruar rruga nga populli që i hap orë e minut rrugën “të marrit”!
Shqipëria është liria e të marrit dhe burgu i të urtit! Pse? Sepse shtresa mes të marrit dhe të urtit është ajo që mbyll rrugën të urtit, sepse i ka hapur autostradën të marrit! Shqipëria është modeli se si kthehesh në faktor të madh kur bën si i marrë! Po, sepse në atë moment, ti ke të drejta dhe respektohesh me tolerancë dhe nganjëherë votim, më shumë se kushdo tjetër. E kjo është fatkeqësi. /Nga Besi BEKTESHI, publikuar në Facebook/