Grabiste të varfërit për t’ua shpërndarë të varfërve. Kështu thotë legjenda për Robin Hood, “hajdutin e mirë” apo pozitiv në Anglinë e para disa shekujve. Çdo pasanik që kalonte përmes pyllit të dendur Sherwood, duhej të “lehtësohej” nga pasuria e tij. Logjika ishte e thjeshtë: pasuria ishte vënë duke shfrytëzuar apo rrjepur të varfërit prandaj “haka duhet kthyer tek i zoti”.
Janë disa punë apo zanate që “zengjintë e rinj” të këtij vendi, nuk preferojnë ti bëjnë. Një nga këto, është pastrimi i “furrikut” personal apo banesës, qoftë ajo edhe një apartament me më pak se 100 metra katrorë, pa dashur ti justifikojmë për vilat luksoze. Kjo vlen edhe për të ashtëquajturit “rrogëtarë të shtetit”, të ardhurat zyrtare të të cilëve, nuk justifikojnë me logjikë mbajtjen e sanitarëve apo pastrueseve, pagesa e të cilave, në varësi të ditëve që punojnë, arrin edhe 500- 600 mijë lekë në muaj. Sa është rroga e një zyrtari të shtetit…?! Pyetje retorike kjo!
E kështu, sanitaret apo pastrueset, bëhen pothuajse “pjesë e familjeve” të “zengjinëve të rinj”. U besohen çelësat e banesave, në jo pak raste edhe “sekrete” që lidhen me vendndodhjen e bizhuterive por edhe të parave. Sigurisht, të atyre pak mijëra eurove që mbahen në banesë për “emergjenca”. Siç mund të jetë kompletimi me orendi i shtëpisë apo edhe për kurimin e “kancerit të xhaxhait”.
Sigurisht, sanitarja apo pastruesja është e kënaqur për punën e rrogën që merr. Por natyrisht, përveç kureshtjes, ka edhe tru. Me 1 milion apo 1.5 milion lekë të vjetra më muaj që merr “punëdhënësja shtetërore” e saj, ajo bën një jetë shumë luksoze. Përveç rrogës, të ardhura të tjera nuk ka. Si ia bën? Ka makinë disamijëra euroshe, orenditë janë të gjitha të markave më të mira, bën pushime në vendet më të shtrenjta të botës etj., etj.
Ky reflektim zgjerohet ngeshëm, pasi ka marrë pluhurat dhe ka fikur fshesën me korrent. Jeta për sanitaren apo pastruesen, është treguar e padrejtë. I biri, mirë me shëndet, i bëshem dhe i pashëm, nuk ka të njëjtat mundësi si vajza apo djali i “punëdhënëses shtetërore”. Cila është arsyeja, pse të mos i ketë edhe djali i saj?! Makina luksoze, celularë e veshje të shtrenjta, të dalë në PUB- e me shokë e me shoqe…
Papritur, zgjohet instikti Robin Hood. Sigurisht, nuk ia ka idenë sanitarja apo pastruesja kush është ky personazh por reagimi është instiktiv. Ngrihet në këmbë, nis e soditë. Sheh bizhuteri të shtrenjta, të cilat i ka parë vetëm në televizor. Merr vathët dhe i vendosë veshë. Para pasqyrës i duket se i shkojnë, janë fiks për të. E njëjta gjë edhe për unazat e florinjta. Edhe ora me gurë të çmuar, emrin e të cilës nuk arrin ta shqiptojë, i ngjan më mirë në pulsin e saj se të “punëdhënëses shtetërore”.
Ka kaluar ora e caktuar për të mbyllur punën në këtë shtëpi. Mbase i duhet të shkojë tek një tjetër. Nuk është e lehtë këto kohë të shkohet deri në fund të muajit. Zbret shkallët pasi ka mbyllur derën, duhet të blejë diçka për të kënaqur me gatimet e saj të drekës djalin, bashkëshortin. Natyrisht, jo nga ato që konsumon “padronia” e saj. Ndalon tek një tezgë, më vonë tek një minimarket dhe në fund…iku gjysma e rrogës së muajit. Mendon me vete se sa e padrejtë është jeta me të…
Pasi është konsumuar dreka, bashkëshorti po pushon në dhomën tjetër. Djali i saj luan me një celular dhe herë pas here shfryn. Sigurisht, është i lirë, nga ata kinezët dhe nuk është një iPhone. Po pse të mos e ketë edhe djali im një të tillë, mendon. Sigurisht paratë që ka në portofol, nuk mjaftojnë. I riu bëhet gati të dalë dhe si zakonisht, i kërkon nënës ndonjë lek. Të paktën për kafe, 200- 500 lekë. Edhe po të mos i ketë, nëna i nxjerr nga shpirti për djalin e saj…
Është mëngjes. Bashkëshorti është zgjuar, ka pirë kafen e zakonshme turke dhe ka dalë për të vrarë kohën si çdo pensionist. Djali ka fjetur vonë, akoma nuk është zgjuar. E shikon teksa fle në divanin e kuzhinës. Ngrihet, e mbulon pak. E adhuron siç e adhuron çdo prind krijesën e vet. Ndjen keqardhje. Do të donte ti jipte të gjithë botën.
E zgjon nga gjumi djalin, me fjalë të ëmbla e ledhatime. I thotë ta shoqërojë deri tek banesa që duhet ta pastrojë. Të mos ikë, ta presë. Sot nuk ka shumë punë, jo më shumë se 30 minuta. I jep edhe 200 për kafe që të mos mërzitet. Kujtohet, i jep edhe një 200- she tjetër, të hajë diçka për mëngjes. Djali zë vend në lokal, nëna ngjitet lart, ndoshta më e lumtur se asnjëherë. Po realizonte ëndrrat e djalit, bashkëshortit por edhe të vetat.
Vazhdimi dihet. Është një ngjarje e ditëve të fundit në këtë vend. Ky vend që më shumë para, lekë, euro e dollarë ka në shtëpitë e “zengjinëve të rinj” se në banka. Është një vend ku çmimet e apartamenteve janë më të shtrenjta se në shumë vende të BE- së. Është një vend ku të gjithë, sidomos të rinjtë, po e braktisin. Po mbeten shumë pak por edhe më të pasurit. Ata që po pasurohen me paratë tona, tek të cilat kanë akses pa teklif dhe pa iu hyrë “ferrë në këmbë”.
Për disa ditë, për disa muaj apo ndonjë vit, djali, bashkëshorti dhe sanitarja apo pastruesja, jetuan si “zengjinët e rinj” apo “punëdhënësit shtetërorë”. U bënë Robin Hood “modernë” duke u marrë të pasurve, atë që ata u kanë marrë të varfërve. Më saktë, ua kanë vjedhur, grabitur, veshur me petkun e pushtetit dhe derivateve të tij.
P.S. Sot sapo u deklarua se të paktën 3 ministrave u kanë hyrë në shtëpi, u kanë marrë (jo grabitur) një pjesë të parave që u kishin vjedhë shqiptarëve. Janë treguar të mençur, nuk kanë denoncuar. E për ta mbyllur, çdo fakt apo e dhënë e paraqitur në këto rreshta, nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është thjesht dhe vetëm pjellë e fantazisë. /Nga Blerti DELIJA/