Klorinda Preka, nga fshati Beltoje i Bashkisë Shkodër, një vit më parë zbuloi se ishte e prekur nga kanceri i gjirit. Mes lotësh, ajo tregon vështiresitë, për të luftuar këtë sëmundje, pasi gjatë gjithë kohës i duhet të jetë e kujdesshme qoftë në lëvizje ashtu edhe në ushqimet që konsumon.
“Para një viti e gjysmë sëmundjen e kapa për një muaj. Më pas shkova bëra ekon, më pas bëra biopsinë dhe hyra në sallë të operimit. Kalova në kimioterapi rreze e të gjitha me radhë”, tregon Klorinda.
Megjithatë 54 vjeçarja, ka gjetur forcë për të mposhtur sëmundjen vdekjeprurëse të kancerit, por ajo gjen forcë edhe për të sensibilizuar femrat e tjera të cilat mund të jenë viktima pa e kuptuar rrezikun që i kanoset.
“Unë ju bëj thirrje të gjitha grave që të shkojnë të bëjnë mamografinë, ekon dhe të drejtohen tek doktori”, thotë Klorinda.
Numri i femrave të prekura nga kanceri i gjirit ka pësuar rritje. Konstatimi vjen në muajin e sensibilizimit të kancerit, ku radiologia Valmira Gjoni apelon që gratë të kryejnë diagnostikimin e hershëm në mënyrë që kjo sëmundje të kapet në faza të para
“Kemi parasysh rritjen e kancerit të gjirit si sëmundje, e kemi vënë re në ekzaminimet e fundit. Ekzaminimi në kohë e parandalon këtë si sëmundje. Mosha kur një grua mund të bëjë mamografi është 40 vjeç e lart, moshat më të reja nuk janë për mamografi si fillim rekomandohet eko. Më pas diskutimet me mjekun specialist i tregojnë se çfarë lloj ekzaminimesh të tjera mund të bëjnë.”, shpjegon Gjonaj
Në Shkodër janë 2 mamografi të cilat u ofrohen pacientëve të rajonit verior, ndërsa deri në fund të muajit tetor ekzaminimet janë falas! Pavarësisht numrit në rritje të prekurve, ndërgjegjësimi edhe këtë vit ka qenë i ulët. Në të dy mamografite në Shkodër janë bërë rreth 450 ekzaminime, një numër i ulet në krahasim me numrin e popullsisë në nivel qarku! Gjatë këtij viti janë 20 raste të zbuluara rishtas me kancer gjiri në Shkodër. /rtsh.al/
FACT CHECK: ShkodraWeb synon t'ju informojë në mënyrë të drejtë dhe të saktë. Nëse ju konstatoni se ka ndonjë pasaktësi të mundshme, jeni të lutur të na e raportoni këtu