Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vijon me takimet e strukturave në rrethe, disa muaj përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Meta ka takuar kryetarin e PL-së në Malësinë e Madhe, Fatmir Shpellzaj. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se fitorja e 14 majit është e padiskutueshme në Bashkinë e Madhe dhe në të gjitha ato të qarkut të Shkodrës.
Postimi i Ilir Metës:
Kënaqësi të diskutoja sot me Kryetarin e Partisë të Lirisë të Malësisë të Madhe, z.Fatmir Shpellzaj. Përgatitja për zgjedhjet e 14 Majit dhe angazhimi maksimal i Partisë të Lirisë për fitoren e kandidatëve të opozitës ishte fokusi ynë kryesor.
Fitorja e 14 Majit është e padiskutueshme në Bashkinë e Malësisë të Madhe dhe në të gjitha bashkitë e Qarkut të Shkodrës. Voto Ndryshimin! Ndalo shpopullimin.
Takimi i Metës në Malësi të Madhe mund të konsiderohet edhe një mesazh pas largimit të deputetit Agron Çela nga Partia e Lirisë tek Partia Socialiste.
Një ditë më parë, deputeti i Shkodrës zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij, për përgatitjet e fushatës për zgjedhjet vendore.