Në orët e para të ditës së sotme, është vendosur një sasi lende plasëse në banesën e Pellumb Shpati, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Fatmirësisht, janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.
Duke folur për mediat, Gjergj Shpati, babai i Pëllumbit, ka rrëfyer ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Shkodër, ku iu vendos eksploziv banesës së shefit të krimeve të komisariatit të Shkodrës.
“Ka ndodhur ne oren 4 te mengjesit. Ishim gjithe ne gjume. Ishte shpërthim i fuqishem. Mendoj se ka ardhur per shkak te detyres te djalit. Probleme me kend nuk kemi patur. I kerkoj shtetit qe te beje detyren dhe ta zbardhë. Kemi qene 17 vete brenda shtepise, 3 familje nga kati i pare ne te tretin”, deklaroi Gjergj Shpati, babai i shefit të Krimeve Shkodër.
Ndërkohë, mësohet se në gusht 2019, në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës, u plagos me thikë edhe vëllai i tij Vat Shpati. Sipas njoftimit të policisë në atëkohe, bëhej me dije se pas një konflikti të çastit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shtetasit me inicialet S. P., 36 vjeç, banues në Shkodër, A. M., 28 vjeç, dhe P. M., 29 vjeç, (vëllezër), kanë plagosur me thikë Shpatin, banues në Dobraç. Ky i fundit është vëllai i oficerit të policisë për vrasjet, Pëllumb Shpati.
KOMUNIKATA E POLICISË SOT
Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit Pellumb Shpati, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.