Autoritetet shëndetësore në Kinë kanë raportuar të shtunën rreth 60.000 vdekje të lidhura me koronavirusin brenda një muaji. Kjo njëherësh është shifra e parë e tillë që publikon Qeveria kineze, prej lehtësimit të kufizimeve për koronavirus në fillim të muajit dhjetor.
Kina ka regjistruar 59.938 vdekje të lidhura me koronavirus në periudhën 8 dhjetor 2022 – 12 janar 2023, ka thënë Jiao Yahui, shefe e Zyrës për Administratë Mjekësore në Kinë.
Kjo shifër u referohet vetëm vdekjeve të regjistruara në qendrat mjekësore, andaj besohet se situata reale është më e rëndë. Kina është akuzuar vazhdimisht për mosraportim të numrit të vdekjeve me koronavirus.
Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë me raste se “nuk është e domosdoshme” që të publikohen shifrat e sakta.
Më parë Pekini pati ndryshuar metodologjinë e raportimit të vdekjeve me koronavirus, duke thënë se do të regjistrojë vetëm personat që vdesin nga sëmundjet e frymëmarrjes.
Mirëpo diçka e tillë është kritikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka thënë se definicioni i ri “është shumë i ngushtë”.
Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë të shtunën se mosha mestare e viktimave ka qenë 80.3 vjet, dhe se 90 për qind e të vdekurve janë mbi moshën 65-vjeçare.
Sipas tyre, shumica kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese. Aktualisht, miliona persona mbi moshën 60-vjeçare janë të pavaksinuar në Kinë. Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili. /REL/