Vllaznia arriti një fitore fantastike me përmbysje ndaj Partizanit në transfertë, në javën e 16-të të Superiores për të vazhduar të qëndrojë në garë për titullin. Pas sfidës, presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi u shpreh i lumtur për këtë fitore të skuadrës dhe se deri në fund të merkatos Vllaznia do të bëjë një goditje të fortë.
“Partizanit në fakt i kthyem borxhin dhe kjo fitore padyshim që më gëzon sepse e mban skuadrën e motivuar sepse pas një ndeshje të mirë me Teuten dhe sot me Partizanin, duhet të punojmë për ndeshjen e ardhshme sepse kampionati është i gjate dhe na presin sfida shumë të vështira. Fillimi i mbarë i këtij viti me një fitore të tillë padyshim që është diçka shumë e mirë”, u shpreh si fillim Xhaferi për “Shkodra Sport”.
Më pas ai shtoi: “Rëndësia e fitores së sotme padyshim qe rritet edhe më shumë ngaqë kishim disa mungesa të rëndësishme, por të mos harrojmë se ne në skuadër kemi 24 futbolliste dhe kjo u pa edhe në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit ku lojtaret qe ishin në fushe dhanë më të mirën dhe prandaj erdhi edhe suksesi”.
Ne kemi objektivat tona dhe sigurisht që duhet të vazhdojmë të fitojmë sepse vetëm kështu mund të shkojmë drejt realizimit te tyre. Sa i takon merkatos, po bëjmë më të mirën dhe besoj se deri në fund do të kemi një goditje të fortë”, përfundoi Xhaferi.