Shkruan në Facebook Bardh Spahia, kryetar i Bashkisë Shkodër: 14 JANARI 1990 është një datë e shënuar për Shkodrën dhe Shqipërinë!
Përkujtuam 33- vjetorin e të parës demostratë antikomuniste në Shqipëri, që nisi nga Shkodra, qyteti i cili në asnjë rrethanë dhe kohë nuk u pajtua me të keqen. Mirënjohje dhe nderim për të gjithë djemtë dhe vajzat që atë ditë ishin aty dhe guxuan të sfidojnë një nga regjimet më barbare.
Guximi dhe besimi që kishin brenda tyre qytetarët e Shkodrës ishte më i fortë se çdo gjë tjetër dhe për të tilla ideale e vendosmëri kemi nevojë edhe sot. Shqipëria gjendet ende në udhëkryqe dhe po përballet me forma të reja të regjimit, që vijnë të kamufluara nga bijtë dhe pasardhësit e bllokut.
Është detyra jonë të mos harrojmë të shkuarën dhe të punojmë për të mos rrezikuar të ardhmen. Shembulli i lëvizjeve të para demokratike në Shqipëri është modeli më i mirë që brezi i ri duhet ta ketë udhërrëfyes!