Partia Demokratike çon në KQZ emrat e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve për zgjedhjet e 14 majit. Afati për dorëzimin e emrave mbaron ditën e diel në mbrëmje, çka ka sjellë dhe lëvizjet e PD.
Ndërkohë që KQZ-ja do të shprehet me vendim kur të dorëzojë listën me emra dhe grupi i Alibeajt.
Vetëm pak ditë më parë Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se në momentin që do të vijnë propozimet për anëtarë të KZAZ do të vlerësohet legjitimiteti i atij personi që në emër të PD paraqet këto propozime.
I pyetur se cilën palë do të njohë KQZ-ja në zgjedhje, Celibashi theksoi se do të vlerësohet legjitimiteti i autorizimit në qoftë se do të paraqitet ky propozim nga anëtarë të KZAZ. Ai tha se aktualisht përfaqësues ligjorë janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, por se ka komunikime edhe me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD.
“Ne kemi komunikim institucional me PD-në. Deri në momentin që flasim përfaqësues i PD në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD.
Ne do të vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacion në KQZ. Në kuptimin është apo nuk është ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime. Sot është përfaqësues i PD-së në KQZ, janë përfaqësues dy zotërinjtë të cilët unë përmenda. Do jenë këta nesër, pasnesër në vijim nuk e them dot. Autorizimi që ata kanë është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës”, tha Celibashi.
Ai u shpreh më tej se organin që përfaqëson një parti politike, nuk e vendos KQZ.
“Kjo është një çështje që nuk e vendos KQZ-ja se kush është organi që përfaqëson një parti politike, që udhëheq një parti politike nuk e vendos KQZ-ja, është një institucion tjetër dhe ne do të vlerësojmë në momentin që do të kemi këto kërkesa çfarë legjitimiteti ka ky apo ai person”, tha Celibashi.